English

Merkel: Irani Të Reflektojë Mbi Pranimin E Ofertës Bërthamore Ndërkombëtare

DOHA, 27 maj /ATSH-AFP/ - Kancelarja gjermane, Angela Merkel i bëri sot thirrje nga Doha Irant që të "reflektojë seriozisht'' lidhur me ofertën e komunitetit ndërkombëtar, mbi shkëmbimin e lëndëve bërthamore. "Konflikti me Iranin duhet të zgjidhet përmes rrugëve diplomatike dhe paqësore dhe Gjermania do të kontribuojë për një gjë të tillë", deklaroi Merkel gjatë një diskutimi në Muzeun Islamik në Doha. "Por besojmë se Irani nuk po vepron me transparencën e nevojshme kundrejt Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA) dhe kjo është arsyeja për të cilën do të forcojmë sanksionet në Këshillin e Sigurimit në OKB", shtoi kancelarja. Këshilli i Sigurimit shqyrtoi më 18 maj një projekt të ri për sanksione kundër Iran, iniciativë e udhëhequr nga SHBA-ja dhe e miratuar nga fuqitë e mëdha të cilat po merren me dosjen bërthamore të Iranit, që janë Kina, Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Gjermania. Merkel deklaroi se ishte ''shumë e kënaqur që pas diskutimeve shumë të ndezura, Rusia dhe Kina vendosën të mbanin një qëndrim më konstruktiv lidhur me çështjen". "E përsëris se Irani duhet të reflektojë seriozisht mundësinë për pranimin e ofertës së komunitetit ndërkombëtar sepse synimi ynë është që Irani të mos pajiset me armë bërthamore", theksoi Merkel./ /i.p/
KOMENTE