English

Muzikë - Oslo - Çmenduria E Eurovizionit Pushton Qytetin E Qetë Norvegjez

OSLO, 27 maj /ATSH-AFP/ - Qyteti i qetë i Oslos po bëhet gati të jehojë të shtunën nën ritmet e Eurovizionit, konsideruar si një përplasje e së kaluarës dhe ekstravagancës që do të ndiqet nga rreth 120 milionë telespektatorë dhe që është në fakt një nga ngjarjet më të ndjekura të planetit. Ashtu si edicionet e mëparshme, edicioni i 55-të i Eurovizionit ka në qendër të vemendjes këngëtaret seksi dhe playboy të bronxuar me solar, shoqëruar me koristë të qetë dhe kërcimtarë të grimuar dhe me tatuazhe. Azerbajxhani, Gjermania, Armenia dhe Izraeli formojnë katërshen më të favorshme për të ndjekur Norvegjinë, kurorëzuar vitin e kaluar në Moskë me këngëtarin violinist, Alexander Rybak. Por, janë votat e fansave dhe juritë profesionale në mbarë Evropën që do të shpallin fituesin mes 25 artistëve që do të performojnë në sallën ''Telenor Arena'', pranë Oslos para 16 000 spektatorëve. Kjo ngjarje ka kritikët e saj. Rreth 43 për qind e norvegjezëve shprehen se rreth 25 milionë euro shpenzime nga radiotelevizioni publik ''NRK'' janë një humbje e taksave audiovizuale. Organizatorët janë përkujdesur që ky edicion të ishte më pak flakërues dhe më pak i kushtueshëm se ai i Moskës që shpenzoi rreth 32 milionë euro. "Pavarësisht rrezikut për të qenë cilësor, nuk e shikoj të arsyeshme përdorimin e 25 milionë eurove në prezantimin e shumë melodive mediokre'', shkruan e përjavshmja ''Aftenposten''. Si zakonisht, shtetet e mëdha evropiane si Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Spanja janë kualifikuar për në finale ashtu si dhe Norvegjia. Bosnje Hercegovina, Moldavia, Rusia, Greqia, Portugalia, Bjellorusia, Serbia, Belgjika, Shqipëria dhe Islanda arritën të kalojnë në finale të martën në mbrëmje në përfundim të gjysmëfinales së parë. Për Inge Solmo, ekspert i Eurovizionit dhe autor i librit "Absolutt Grand Prix", vendi i parë mund të luhet mes Gjermanisë, Spanjës, Suedisë dhe Azerbaxhanit. Anglia me të riun Josh Dubovie? "Britania e Madhe këtë vit është e tmerrshme'', shtoi ai./ /ec/ a.jor.
KOMENTE