English

Ndotja e ajrit në Tiranë, Taulant Bino: Për faj të trafikut të rrugëve

Tiranë, 27 Maj, NOA /Blerina Ahmetaj - Ministria e Mjedisit pranon shifrat e raportuara një ditë më parë nga OBSH mbi ndotjen e ajrit në Tiranë.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve NOA, zv/ministri i Mjedisit, Taulant Bino thotë se në disa akse të kryeqytetit ndotja rezulton të jetë më e lartë se 2 apo 3 herë në raport me normat e BE.

Numri 2 i ministrisë së Mjedisit, rendit një sërë arsyesh ku më kryesori mbetet trafiku i rënduar në kryeqytet.

Sipas tij, ndotja më e lartë vjen prej djegies së gazit të automjeteve në trafik të cilat rrisin përqindjen e grimcave të respirueshme në ajër, shkaktarë kryesorë të sëmundjeve kancerogjene tek njeriu.

Zoti Bino, cilët janë shkaqet e ndotjes së ajrit në Tiranë?

Nga studimet e vazhdueshme mbi ndotjen e ajrit të kryera nga ministria jonë përmes institucioneve monitoruese si është ISHP vërejmë një qëndrueshmëri të nivelit të grimcave të respirueshme pm 10 siç njihet apo të lëndëve të ngurta në ajër që janë pluhurat. Mund t’ju them se jo 2 apo 3 herë sa u raportuan, por në disa akse, niveli i ndotjes është edhe më i lartë. Shkaqet janë të shumta por për dy elementët kimikë të ndotjes së ajrit që ju thashë pak më lart, fajtor është trafiku, çlirimi i gazeve të automjeteve gjatë qëndrimit në trafik.

Ndonëse janë zgjeruar akset rrugore përsëri nyjet lidhëse janë kaotike dhe të gjitha automjetet mblidhen në një pikë duke rënduar trafikun. Personalisht dhe institucionalisht gjykoj se ndotja më e madhe e ajrit shkaktohet nga trafiku dhe mungesa e infrastrukturës në kryeqytet, mungesa e zhvillimit të transportit publik dhe atij alternativ.

Një tjetër shkak i ndotjes janë hapësirat e gjelbërta. Thuhet se mbillen pemë, por hapësirat e gjelbër mbeten po ato.

Po ju si qeveri, çfarë masash po merrni për eliminimin e ndotjes së ajrit?

Të gjitha shkaqet që përmenda më sipër janë njëra anë e problemit. Ana tjetër është kontributi i automjeteve për të rritur nivelin e grimcave të respirueshme, të cilat shkaktojnë sëmundjet kancerogjene. Për këtë po merren një sërë masash. Një prej tyre, heqja nga qarkullimi i tregut i naftës D2 e cila ishte një ndotëse e madhe e ajrit. Masë tjetër është kontrolli për moshën e automjetit, ku çdo qytetar do të paguajë më shumë taksë, sa më i vjetër të jetë automjeti i tij. Përveç kësaj nuk do të lejohet hyrja e makinave të vjetra në vendin tonë e për këtë po merren nisma për hapjen e qendrave të reja të kontrollit të automjeteve. Por pa dyshim të gjitha këto së bashku me trafikun e rënduar në Tiranë bëjnë që të rritet niveli i ndotjes së ajrit.

A mund të ketë një përgjegjës, situate e krijuar aktualisht?

Të dyja pushtetet, ai qendror dhe vendor janë përgjegjës por nga ana jonë gjithmonë ka pasur ftesë për bashkëpunim me pushtetin vendor. I takon bashkisë së Tiranës t’i përgjigjet pasi aktualisht po mban peng miratimin e planit rregullues të Tiranës, brenda të cilit gjenden disa alternative për reduktimin e nivelit të ndotjes së ajrit në Tiranë. Kryebashkiaku Rama duhet ta kishte paraqitur planin rregullues në KRRTRSH por mesa kam unë informacion kjo gjë nuk ka ndodhur.

b.a/NOA

KOMENTE
  • Elton Tocka17:53 - 08 Dhjetor 2010
    Me falni me nevojitet nje material per ndotjet , mungesa e gjelberimit dhe pasojat,semundjet . Mund ta gjeni nje gje te tille?