Prishtinë, 27 Maj, NOA - Lidhja Demokratike e Dardanisë, e Nexhat Dacit ka kërkuar debat urgjent në parlamentin e Kosovës, për atë që ajo e cilëson shkelje të sovranitetit të vendit.
Lideri i kësaj partie, duke iu referuar vizitës së fundit të ish kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica në Kosovë, ka thënë se kjo ka bërë që pozita e Kosovës të jetë më e keqe se sa në kohën e protektoratit apo të komunizmit.
Z.Daci, cili është qëndrimi juaj për zgjedhjet serbe në Kosovë?
Unë mendoj se Kosova po e përjeton një krizë të brendshme dhe të jashtme, kjo falë një udhëheqje krejt pa dinjitet.
Kosova sot është në pozitë me të vështirë se sa në kohën e protektoratit dhe edhe në kohën e komunizmit, kur ajo kishte një dinjitet më të madh.
Zgjedhjet serbe në veri të Kosovës e në veçanti vizitat e liderëve të partive të ndryshme edhe me forca të armatosura në Kosovë, është fyerja më e madhe që i është bërë Kosovës pas luftës.
Prandaj partia ime do të kërkojë debat parlamentar përpara se të bëhët vonë dhe t’i tërhiqet vëmendja këtij koalicioni qeverisës se ia çitën faqen e zezë Kosovës.
Ju po e akuzoni rëndë koalicionin qeveritar. Më thoni zoti Daci ku ka qenë opozita sepse edhe ajo ka disa obligime dhe përgjegjësi?
Pajtohem me vlerësimin tuaj por opozita në vazhdimësi ka qenë e qartë në kërkesat e veta në këtë drejtim.
Por koalicioni qeveritar i ka dy të tretat e vendeve në parlament dhe mjerisht, ka një përkrahje të fuqishme prej faktorit ndërkombëtar dhe atyre nuk i intereson as çfarë thotë opozita e as qytetarët e Kosovës.
Ju po e akuzoni edhe faktorin ndërkombëtar për një qëndrim jo të drejtë ose jo të saktë?
Unë nuk do të thoja akuzë, por një vërejtje serioze sepse të gjitha misionet ndërkombëtare janë të ftuara në Kosovë dhe fatkeqësisht ose fatmirësisht edhe mbi baza kushtetuese dhe nuk po e kryejnë në kohë dhe me përgjegjësinë e duhur misionin që e kanë ndërmarrë në Kosovë.
Po thoni se Kosova sot është më keq se sa në kohën e protektoratit ose të komunizmit. A mund të ma sqaroni këtë sepse ky duket një vlerësim goxha i fortë dhe i ashpër?
Po, sepse në kohën e protektoratit nuk lejoheshin vizita të tilla fyese për Kosovën nga shteti i Serbisë. Kishte një autoritet më të fuqishëm vendor, të presidentit, të parlamentit, të kryeministrit dhe të qeverisë, ndërsa tani po të testohej autoriteti i qeverisjes në Kosovë me ndonjë referendum, jam i bindur se as dhjetë për qind të qytetarëve nuk do ta përkrahnin.
Cila është zgjidhja zoti Daci?
E vetmja zgjidhje, që i ruan faqebardhësinë kësaj qeverisje faqezezë, janë zgjedhjet në pjesën e parë të vitit 2011 dhe me ndryshimin e ligjit zgjedhor.
Dmth sipas jush nuk ka zgjidhje deri në zgjedhjet e vitit 2011?
Ekziston një zgjidhje, po të kishte vullnet të këtij koalicioni qeverisës që të shkohet me krijimin e ndonjë qeverie gjithë-përfshirëse, që unë do ta quaja qeveri të shpëtimit kombëtar dhe jo qeveri teknike, sepse teknikat edhe na sollën në këtë situatë ku jemi.
Si e vlerësoni pozitën ndërkombëtare të Kosovës?
Pozicioni ndërkombëtar gjithmonë varet nga fuqia dhe sukseset në vend, por proceset që po zhvillohen duke mos u respektuar as kushtetuta dhe ligjet dhe me një krim ekonomik dhe korrupsion të koalicionit qeverisës, nuk janë porosi e mirë për shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.
Keni kërkuar debat urgjent parlamentar që të mbrohet e sovranitetit të vendit. Besoni se do të kalojë kjo nismë?
Gjasat janë të vogla por ne jemi të vendosur që ta fitojmë edhe mbështetjen e deputetëve të shumicës, sepse ka luhatje individuale dhe mund të ngjajë që ky debat të fillojë.
A është opozita e dobët në Kosovë dhe kjo po bënë që shumica të sillet me komoditet?
Politikisht nuk është e dobët, por handikapi më i madh është se mjerisht këtë koalicion po e përkrah edhe faktori ndërkombëtar, kjo për interesa të caktuara.
A e keni shqyrtuar ndonjëherë ndonjë formë më radikale të kundërshtimit politik?
Të kundërshtimit politik? Po.
Le të themi diçka të ngjashme siç ka bërë opozita në Shqipëri…
Jo. Unë mendoj se nuk mund ta marrim si model Shqipërinë. Nuk e kemi diskutuar por ndoshta pikërisht modeli i Shqipërisë dhe modeli shumë i keq i Maqedonisë, po reflektohet edhe te ne në Kosovë.
Kosova ndryshon, sepse Kosova nuk ka as ushtri, as sigurimin e vet, as shërbimin inteligjent, nuk e ka policinë e vet në një pjesë të territorit sepse është nën shiritin komandues të një force ndërkombëtare dhe kur kësaj i shtohet se as presidenti e as kryeministri nuk e çajnë kokën, atëherë ndryshon situata dukshëm prej asaj në Shqipëri.
Mund të ndryshojë situata pas qëndrimit të Gjykatës së Hagës për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës?
Unë jam shumë i bindur se kjo do të ndodhë. Në fakt kjo është edhe arsyeja kryesore që të mos i kapërcejmë linjat e kuqe që do ta dëmtonin Kosovën edhe me një vendim përshkrues negativ.
Dhe nuk jemi të interesuar që kjo të ndodhë. Si opozitë jemi të interesuar që Kosova të fuqizohet dhe besojmë se pas GJND-së, do të ndryshojnë gjërat rrënjësisht.
BBC