Laç, 27 Maj, NOA – Duket se ka marrë fund odiseja e pengmarrjes së ndodhur dje në qytetin e Laçit, ku babë e bir morën peng nipin për shkak të disa parave borxh, të cilat duket se janë bërë objekt konflikti dhe gjaknxehtësie mes tyre.
Lajmi konfirmohet nga burimet policore të Kurbinit për agjencinë e Lajmeve NOA duke konfirmuar se pengmarrja që nisi në Laç dhe vijoi në zonat e Pukës, është finalizuar në orët e mesnatës me kapjen e tre personave të përfshirë brenda saj.
Kështu, mësohet se 180 policët e angazhuar në këtë aksion policor, kanë mundur të vënë në pranga Mark Nikollin, 54 vjeç si dhe djalin e tij rreth 23-vjeçar Valmirin; që të dy lindur në fshatin Kalivarë të Pukës dhe banues në qytetin e Laçit, si edhe 34-vjeçarin Ndoc Ndou; lindur në fshatin Berishë e Vogël të Pukës e banues edhe ky në qytetin e Laçit.
Në fakt, arrestimi i këtij të fundit, i cili ishte marrë peng nga babë e bir të cituar më lart, ka ndodhur pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, iu gjet një armë zjarri automatik tip P.M.S dhe një krehër me 20 fishekë model - 54 (pistolete TT), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndaj tij tashmë rëndon akuza për konsumim të veprës penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal.
Ndërsa dy të tjerët akuzohen se kanë mbajtur për orë të tëra peng Ndoc Ndoun, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në mjetin e tyre, tip Benz 240 me targa LA 8980 A, duke e rrëmbyer nën kërcënimin e një pistolete.
Policia nga ana e saj ka sekuestruar këtë automjet si edhe pistoletën beretë 9 mm, në gjendje të mbushur me një krehër me 5 fishekë, që e mbante Mark Gjini, të cilit gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, i është gjetur edhe një granatë dore dhe një ndezës i unifikuar granatë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
n.e/NOA