Prishtinë, 27 Maj, NOA – Soren Jessen Petersen, ish-përfaqësues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, deklaroi se së shpejti flamuri i Kosovës do të ngrihet bashkë me flamujt e 192 shteteve të tjera anëtare të OKB-së.
Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 2010, në Universitetin Amerikan të Kosovës, Petersen tha se Kosova është vendi në të cilin i ka kaluar dy nga vjetët më të çmuara.
Sipas tij, “puna e këtyre studentëve do të ndikojë në heqjen e imazhit negativ të konfliktit, korrupsionit dhe krimit për rajonin”.
Nga ana e tij, presidenti i Kosovës gjatë kësaj ceremonie u shpreh se “Kosova sot është më afër standardeve bashkëkohëse duke u bërë pjesë e një tregu ndërkombëtar ku dominon cilësia dhe konkurrenca".
"Sot, kur më nuk ekzistojnë barrierat që ne si gjeneratë e mëhershme i kemi pasur, duam që të gjithë të rinjtë dhe të rejat tona të bëhen konkurrentë me moshatarët e tyre në Evropë dhe botë. Një popullatë e re dhe e arsimuar mirë do të jetë çelësi kryesor në realizimin e shumë reformave të nevojshme për zhvillimin e vendit tonë. Vetëm me kuadro të përgatitura me dije bashkëkohore do të mund t'i menaxhojmë vetë shumë projekte, të cilat çojnë në një prosperitet më të mirë për të gjithë", theksoi presidenti Sejdiu.
n.e/NOA