Prishtinë, 27 Maj 2010 NOA - Drejtori i Policisë së Kosovës(PK), Behar Selimi dhe Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Hasan Preteni kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të rritjes së efikasitetit në luftë kundër formave të ndryshme të korrupsionit.
Me këtë rast drejtori i PK-së, Behar Selimi ka thënë se kjo marrëveshje përmirëson bashkëpunimin e këtyre dy institucioneve në organizimin e tyre në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
“Jemi të detyruar me ligj që në çdo shqetësim që dimë që Agjencia Anti- korrupsion e ngrit lidhur me mundësitë për korrupsion ne do të përpiqemi të grumbullojmë sa më shumë informacione dhe ato informacione t’ia përcjellim prokurorit si organ kompetent”, ka deklaruar Selimi.
Ai ka shtuar se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është vazhdim i përpjekjeve që po bëjnë institucionet vendore për përmirësimin e asaj që quhet drejtësia penale.
Në anën tjetër, drejtori i AKK-së, Hasan Preteni ka thënë që agjencia që ai udhëheq përfiton shumë nga kjo marrëveshje duke përfshirë edhe trajnimet e specializuara që policia do të i bëjë për hetuesit e AKK-së.
“Tani agjencia mund të kërkoj drejtpërdrejt nga policia që gjatë fazës së hetimeve tona preliminare, në rastet kur palët refuzojnë të bashkëpunojnë me agjencinë, kur refuzojnë që të na japin dokumentacionin e kërkuar agjencia për trajtimin e mëtutjeshëm të kemi të drejtë nga policia të kërkojmë sigurimin e dokumentacionit”, ka deklaruar Preteni.
Në ceremoninë e nënshkrimin kanë marrë pjese edhe ndihmës drejtorëve e të gjitha shtyllave të Policisë së Kosovës.
a.b/r.n/NOA