English

Presidenti I Ukrainës Pritet Me Manifestime Në Lviv

LVIV, 27 maj /ATSH-AFP/ - Qindra opozitarë të presidentit të ri ukrainas Viktor Janukoviç e pritën sot kryetarin e shtetit në Lviv, bastion i opozitës në perëndim të vendit, në vizitën e tij të parë në këtë qytet që prej zgjedhjes. Qindra opozitarë properëndimorë u mblodhën përpara Universitetit politeknik për të pritur Janukoviçin i cili mori pjesë në një mbledhje me guvernatorë rajonalë dhe me biznesmenë, njoftoi një gazetare e AFP-së. "Turp!", "Skllevër të Moskës!", thërrisnin protestuesit të cilët mbaheshin larg rrethimit të universitetit nga një kordon i fortë policor, përpara se të hidhnin parrulla të nacionalistëve ukrainas: "Fitore kombit! Vdekje armiqve!". Në një spektakël të vogël për "shitjen" e Ukrainës, ata e paraqitën presidentin rus, Dmitri Medvedev, si një "car". Disa përleshje u zhvilluan kur protestuesit u përpoqën pa sukses të çajnë kordonin policor të sigurisë. Ianukoviç e minimizoi rëndësinë e këtij manifestimi. "Njerëzit në Lviv janë të gatshëm të bashkëpunojnë. E kuptojmë mirë këtë grusht manifestuesish, ata janë të porositur", deklaroi ai. Përveç kësaj, rreth 100 përkrahës të Janukoviçit, shumë e rrallë në këtë rajon, u mblodhën në rrugën ku po kalonte presidenti i cili u afrua për t'i përshëndetur. Ata thërrisnin emrin e kryetarit të shtetit dhe tundnin parrulla ku shkruhej "Janukoviç, presidenti ynë" dhe "Lvivi përshëndet Janukoviçin". Vetëm 8,6 për qind e banorëve të rajonit Lviv votuan për Janukoviçin, i cilësuar si tepër prorus, në turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në shkurt, një votim ku ai fitoi në përgjithësi në të gjithë vendin përballë Julia Timoshenkon, ish-kryeministre tashmë opozitare, e cilësuar si më tepër properëndimore. Janukoviç është popullor në lindje dhe në jugun rusishtfolës, por jo në rajonet perëndimore më tepër nacionaliste dhe antiruse. /I.Pu.
KOMENTE