Prifti Fton Biznesin Francez Te Investoje Ne Shqiperi
I
-Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, mori pjesë në konferencën "Shqipëria: Në rrugën drejt integrimit të BE", që u zhvillua në Paris-
TIRANE, 27 Maj /ATSH-E.Xhajanka/. - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ftoi biznesin francez të investojë në Shqipëri, si një vend me një klimë miqësore për biznesin, një qeveri pro biznesit dhe një vend me taksa të ulta, forcë pune të kualifikuar dhe të lirë.
Ministri Prifti, i pranishëm në konferencën "Shqipëria, në rrugën drejt integrimit të BE", mbajtur në Paris, tha se "sektori energjetik dhe minerar shqiptar janë kthyer kohët e fundit në sektorë tepër tërheqës dhe fitimprurës për investime".
Në këtë konferencë, e cila u zhvillua nga UBIFRANCE, Komisioni i Tregtisë Franceze, ishte e pranishme dhe Sekretarja e Shtetit për Tregtinë e Jashtme të Francës, Anne Marie Idrac, e cila vlerësoi se Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe shprehu mbështetjen e plotë të vendit të saj për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ajo foli edhe për mundësitë për investime të huaja që ka Shqipëria dhe u bëri thirrje investitorëve francezë që të investojnë në vendin tonë.
"Francezët duhet të investojnë në Shqipëri. Shqipëria është një vend i bukur, i sigurt dhe me interes për investime. Shqipëria është vend i rinisë, pasi mosha mesatare e popullsisë është 31 vjeç. Qeveria franceze do të mbështesë kompanitë franceze që duan të investojnë në Shqipëri", u shpreh zonja Idrac. Gjithashtu, ministrja e Shtetit për Tregtinë e Jashtme të Francës vlerësoi Shqipërinë si një vend me taksa të ulëta dhe vend i nxitjes ekonomike.
Ndërsa ministri Prifti, në fjalën e mbajtur gjatë kësaj konference, ku ishin të pranishëm përfaqësues të biznesit francez, ekspertë të ekonomisë, bankierë etj, bëri një panoramë të realitetit shqiptar, reformave që ka ndërmarrë qeveria në funksion të nxitjes së investimeve të huaja dhe vendase në vend, si dhe theksoi faktin se shqiptarët janë një popull miqësor dhe mikpritës.
"Shqipëria është një vend i pasur me rezerva hidrike dhe me tepër interes dhe rëndësi është edhe sektori i energjisë së rinovueshme", tha Prifti. Kreu i ekonomisë shqiptare shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në konferencën "Shqipëria: Në rrugën drejt integrimit në BE" dhe bindjen se kjo konferencë dhe rezultatet e saj do të ndikojnë pozitivisht në mbështetje të zhvillimit të Shqipërisë.
Shqipëria, nënvizoi ai, është një vend që ka potenciale të mëdha ende për t'u zbuluar dhe ndaj ftoi biznesmenët francezë të investojnë në vendin tonë, duke zhvilluar dhe forcuar akoma më shumë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.
Duke folur për krizën globale dhe efektet që ka dhënë ajo në gjithë Europën, por sidomos në vendet e Europës Juglindore, ministri Prifti tha se kjo krizë ka dhënë efektet e saj negative gjatë 18 muajve të fundit. Vendet e Europës Juglindore, tha Prifti, janë përballuar me kufizime të konsiderueshme fiskale, me rënie të tregtisë, paqëndrueshmëri të monedhës,etj, dhe shumica e vendeve në rajonin tonë janë detyruar të kërkojnë edhe mbështetjen e FMN.
Në këtë kuadër, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u shpreh se Shqipëria përbën një përjashtim, pasi gjatë viteve të fundit ka pasur rritje ekonomike pozitive, pavarësisht efekteve që ka pasur kriza ekonomike globale.
"Gjatë gjithë dekadës së fundit Shqipëria ka gëzuar rritje të shpejtë ekonomike, inflacion të ulët, stabilitet makroekonomik dhe të përgjithshëm, hyrjet e kapitalit në rritje. Duke ruajtur këtë linjë në zhvillimin ekonomik, ndryshimi ka qenë radikal. Në kontrast me vendet e tjera të rajonit Shqipëria ka arritur të zvogëlojë deri në 12,4 për qind nivelin e varfërisë absolute në 6 vitet e fundit, ndërsa qeveria është e vendosur ende për zvogëlimin e varfërisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e saj", u shpreh Prifti.
Pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm, sipas ministrit të ekonomisë, qëndrojnë dy forca kryesore lëvizëse. Së pari, shpejtësia me të cilën Shqipëria ka lëvizur në rrugën e saj drejt integrimit në tregjet globale, e veçanërisht me BE. "Proceset e integrimit filluan në vitet e para të dekadës së fundit dhe hapën rrugën për pjesëmarrjen e Shqipërisë në organizatat e ndryshme ekonomike dhe tregtare, që të veprojë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë dhe miratimit e zbatimin e legjislacionit, si dhe ndërtimin e institucioneve, të cilat ishin rëndësishëm për të ardhmen", theksoi kreu i ekonomisë.
Së dyti, sipas ministrit Prifti, Shqipëria ka arritur gjatë viteve të fundit një përparim të madh në zbatimin e reformave të brendshme të tregut, që janë thelbësore për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e biznesit në vend. Ministri Prifti iu referua raportit të Bankës Botërore "Doing Bussines" në vitin 2010, sipas të cilit, për të nisur një biznes në Shqipëri tani duhen vetëm 5 ditë, nga 36 ditë që nevojiteshin 2 vjet më parë, çka përbën një lehtësi për investitorët vendas dhe të huaj.
Burokracitë e shumtë në procedurat e licencimit, koncensioneve, prokurimeve, etj, tha z. Prifti, kanë qenë një shqetësim për investitorët e huaj, por tashmë gjithçka ka ndryshuar me reformat e kryera. Në këtë drejtim, ministri Prifti theksoi rëndësinë e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe Qendrës Kombëtare të Licencimit, pasi me krijimin e këtyre dy qendrave kanë gjetur zgjidhje shumë shqetësime të investitorëve lidhur me lehtësinë për të investuar në Shqipëri.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës foli për mundësitë për investime që paraqet sektori energjetik në vendin tonë, si përsa i përket energjisë hidro, por edhe asaj së rinovueshme. Shqipëria, tha z. Dritan Prifti, është një vend në të cilin ka diell për 300 ditë gjatë një viti, që ka forcë pune të kualifikuar dhe të lirë, si dhe taksa shumë më të ulëta, madje më të ulëta se sa taksat në Kinë. Ministri përmendi faktin se vetëm në dy vitet e fundit janë dhënë më shumë se sa 200 koncensione për hidrocentrale, ndërkohë që ka një interes të madh të investitorëve për të investuar në miniera, bujqësi dhe turizëm.
"Ne kemi zgjeruar mundësitë për investime në zona të cilat ishin të pashkelura. Me promovimin e legjislacionit të duhur, sektori i energjisë është transformuar në një nga sektorët më të kërkuar për investime, nga një sektor problematik që ka qenë", tha ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Duke u ndalur edhe një herë te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës, ministri Prifti tha se dy vendet tona sot janë më afër me njëri-tjetrin në sajë të bashkëpunimit të shkëlqyer politik dhe aktivitetit ekonomik në rritje.
"Përderisa ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Franca për zhvillimin e Shqipërisë dhe stabilitetin në rajon, ne jemi më shumë se të vetëdijshëm se prania e kompanive franceze në Shqipëri është shumë e rëndësishme për arritjen e rritjes afatgjatë në shumë sektorë, në të cilët këto kompani janë udhëheqës globalë", tha Prifti.
Ministri Prifti përshëndeti të gjitha kompanitë e pranishme në konferencë dhe ato që operojnë në Shqipëri, duke i premtuar mbështetje dhe kohën e tij sa herë që të kenë nevojë./s.s./