Elbasan, 27 Maj, NOA - Kishin instaluar prej dy vitesh në shtëpi një linjë prodhimi sallamerie të pashoqëruar me asnjë lloj dokumentacioni, ndërsa prodhonin në të edhe mijëra litra pije alkoolike, gjithashtu pa leje, të cilat më pas i shisnin në mënyrë ilegale.
Bëhet fjalë për dy persona, të cilët janë kapur në flagrancë duke ushtruar këtë aktivitet ekonomik të paligjshëm, të vënë më pas në prangat e forcave të policisë, që konfirmojnë se emrat e tyre janë përkatësisht Bledar Shehu, 36-vjeç, lindur në Cërrik dhe banues në Elbasan dhe Shëndet Boçi, 51-vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Elbasan.
Kapja e tyre u krye nën operacionin e koduar “Parizieri i fundit”, ndërsa bëhet me dijeni se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 51-vjeçarit, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme mishi i llojeve të ndryshme si (pule, gjedhi, mish i grirë), të cilën ai e përdorte si lëndë të parë për prodhimin e sallameve të ndryshme; përkatësisht 2000 kg mish i grirë i gatshëm për prodhim si dhe 600 kg mish i përzier.
Po kështu, u konstatua edhe një sasi sallami e prodhuar, e gatshme për t’u shitur si turist, parizer, qofte apo salçiçe.
Gjithashtu, nga kontrolli i banesës së Shëndet Boçit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 3000 kg pije të ndryshme alkoolike e prodhuar ne mënyrë artizanale si raki, verë, uthull etj, të destinuara për treg.
Ndaj dy të arrestuarve u mor masa e arrestit në flagrancë, për veprën penale “Prodhim i kundraligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale e ushqimore, e kryer në bashkëpunim”, të cilat parashikohen nga nenet 288/a /2 i Kodit Penal.
n.e/NOA