English

Reportazh/ Ankth I Shituar Ne Zapod

OD KUKËS, 27 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Zapodi, është një fshat në rrethin e Kukësit, i cili ndodhet në kufi me Kosovën, vetëm 400 metra larg kufirit. Deri para pak ditësh askush nuk kish dëgjuar për fshatin me shtëpitë e tij, ngjitur me njëra-tjetrën në një shpat mali. Por që kur vajza 6 vjeçare humbi papritur të shtunën e kaluar, fshati është mbushur me policë, si kurrë më parë në historinë e tij. "Humbja e vajzës ka bërë që gjithë fshati të heshtë e të mos e ketë mendjen në punët e stinës", thotë një banor i Zapodit. Njerëzit e kanë vështirë të flasin për ngjarjen e rëndë, e rrallë për gjithë zonën e Gorës. Policia, së bashku me fshatarët, vazhdojnë kërkimet prej pesë ditësh. Në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe fshatarët e Orgjostit, një fshat 15 minuta larg. "Është një ngjarje që kujtdo i dhemb",- thotë Alejdini, nga Orgjosti. Ngjarja zë fill mbasditen e 22 majit, kur babai vajzës, Zamir Mata, ka dhënë alarmin për zhdukjen e papritur të vajzës. "Vajza është rrëmbyer, po se si është vështirë ta thuash", thotë me bindje drejtori i shkollës. "Unë kam qenë me të, ia shtrova xhaketën duke i thënë më prit sa të mbledh delet", tregon halla e saj, Alketa. "Jam kthyer për pak minuta, xhaketën e kam gjetur, por jo vajzën", thotë Alketa. I ati, Zamiri, vetëm tund kokën. Pas gjithë këtyre ditëve kërkimesh sikur ka humbur shpresën, ndonëse të afërmit i japin zemër duke i thënë: "ku i dihet". "Ende po i vazhdojmë kërkimet, por nuk kemi ndonjë rezultat, as ndonjë të dyshuar, apo të ndaluar në lidhje me këtë ngjarje",- thotë nëndrejtori i policisë së qarkut, Xhafer Elezi. Për këtë ngjarje është ngritur edhe një grup ekpertësh të hetimit. "Janë pyetur të afërmit e familjarët, por deri tani asnjë gjurmë që të bën të dyshosh, apo për ndonjë vendndodhje të mundshme të saj", thotë Elezi. "Qeni i policisë ka ndjekur gjurmët deri te perroi afër fshatit, më tej gjurmët kanë humbur", pohon një burim konfidencial i policisë. Nga ana e policisë, veç kërkimeve të pandërprera është vënë edhe një shpërblim prej 500 mijë lekësh për çdo person që mund të japë informacion. Po ashtu kontakte të vazhdueshme mbahen edhe me policinë kosovare, por pa ndonjë rezultat. Zhdukja e vajzës është vetmja gjë për të cilën banorët e këtij fshati mendojnë këto ditë. Kur takohen, ata pyesin njëri-tjetrin: "Hë, ka ndonjë gjë të re?" Prej 5 ditësh, përgjigjja është negative./ch/
KOMENTE