English

Reportazh/Elbasan: Shkollat Bashkëkohore Me Internet Në Zonën E Shpatit

T ELBASAN, 27 Maj /ATSH-Miranda Sadiku/- Mësuesi pensionist Kristaq Panxi ndërsa shikon shkollat e zonës së Shpatit në rrethin e Elbasanit të pajisura me laboratorë informatikë, kujton kohën kur mrekullia e shkencës për shpatarakët, ku ai ishte mësues ishte radioja me vajguri. "Ishin vitet 60-të kur rastësisht më ra në dorë një radio e vogël dore me bateri. Kjo radio grumbullonte në dhomën time të mësuesit edhe dhjetra të tjerë për të dëgjuar muzikë e këngë. Në të gjithë zonën numëroheshin vetëm tre radio me vajguri, prodhim rus", kujton Kristaq Panxi. Kanë kaluar jo shumë vjet dhe ne përshkojmë shkollat e rindërtuara në zonën tradicionale të Shpatit, duke nisur nga fshati Hajdaran, pikërisht në klasën ku janë instaluar kompjuterat. Nëse pak dekada më parë ngjallte kërshëri një radio tranzistor, sot dhjetra nxënësve, kompjuteri u duket si diçka e zakonshme, aq shumë janë familjarizuar me të. Ndonëse me pak vështirësi, për orë të tëra ata lundorojnë në internet duke vjelur prej tij shumë më tepër se ç'u afrojnë klasat. E njëjtagjë vërehet edhe në shkollat 9- vjeçare të Mlizës dhe Shelcanit. Të dy këto shkolla, me një numër të konsiderueshëm nxënësish kanë në laboratorë të veçantë kompjuterat. Istalimi i internetit ka ndihmuar edhe për iliustrimin e anës shkencore të orëve të mësimit. Në Lleshan, në të dy shkollat 9-vjeçare të fshatit më të madh të Shpatit është e njëjta gjendje: kompjutera dhe internet, që përdoren gjerësisht nga nxënësit. Duket qarët që më apasionuarit pas internetit zotërojnë njohuri që i kapërcejnë vitet e moshës së tyre. Hyrja në internet është pak e ngadaltë, por rreth 30 kompjuetrave në laborator sheh një masë të madhe nxënësish të interesuar, që përmes tyre hulumtojnë botën, njihen me gjëra të panjohura për ta, bëhen pjesëmarrës në këtë fushë të gjerë dhe të pafund. Aty këtu ne gjejmë nxënës të interesuar që kanë krijuar lidhje nëpërmjet Face Book, Mesenger, etj, me bashkëmoshatarë në vende të ndryshme të botës. Dhe gjithçka ndodh kur vetëm gjysëm shekulli më parë një pjesë e vajzave të Shpatit lindnin rriteshin, bëheshin nëna dhe vdisnin pa u shkelur këmba në qytet. Të njejtin interesim të moshës së internetit gjejmë edhe në Zavalinë e në Seltë. Kjo nuk na habit, sepse shpatarakët në shekuj kanë pasur një dashuri të veçantë për të renë. Dhe nuk është e rastit që shkollat e para shqipe për qarkun e Elbasanit janë hapur pikërisht në Shpat, ku mësues të nderuar si Dyl Dervishi, Kodhel Dedja, Bim e Kol Panxhi përçuan dritën e dijes, kur në tërë Shqipërinë mbretëronte errësira. Në këtë hov marramendës, ndihmë të veçantë kanë dhënë OJQ "Word Vizion" në krijimin e laboratorëve modernë, dhe Banka Botërore në pajisjen e tyre me aparaturat më bashkohore të ndërlidhjes mbarë botërore. Por për të arritur në realizimin e shpejtë të moshës së internetit ndihmë të veçantë ka dhënë qeveria me projektet e saj të guximshme në këtë fushë. Ndaj sot, në moshën e internetit, është e vështirë të dallosh për nga shkalla e njohurive në këtë fushë një nxënës shpatarak nga një nxënës që vazhdon shkollën në qendër të qytetit, apo kryeqytetit./ch/
KOMENTE