English

Reportazh: Ne Llakatund Rikthehet Tradita E Prodhimit Të Perimeve

VLORË, 27 maj /ATSH-H.Koçi/ - Fusha e Llakatundit, rreth 1900 hektarë, 15 km në verilindje të Vlorës, një nga më të mëdhatë, dikur një nga prodhuesit kryesorë në vend me fruta perime, ullinj e produkte blegtorale, pas një periudhe shumëvjeçare problematike, gjërat kanë ndryshuar plotësisht. -Fermerët i rikthehen traditës- Fermerët Që i janë rikthyer traditës dhe sot fusha e Llakatundit është shndërruar në mjedis pjellor ku kultivohen llojshmëri e pasur e fruta perimeve, janë ndër furnizuesit kryesorë të tregut të Vlorës dhe qyteteve të tjera. Krahas prodhimeve tradicionale, si domatet, specat, patëllxhanet, patatet, kungujt, sallatës, spinaqit, trangullit, lakra e lulelakra, mollët, dardhët, kumbullat, ftonjtë, fermerët kanë shtuar edhe kultura të tjera si brokoli e finok, që nuk janë në traditën e zonës, por që po kultivohen fare mirë dhe me mjaft efektivitet. Po ashtu, po hyjnë në masë luleshtrydhet, kajsitë, kivit, ndaj të cilave tregu është vazhdimisht i etur. Dhjetra fermerë të zonës tashmë kanë krijuar një raport të përhershëm me tregun. Viti i kaluar shënoi një "boom" në këtë drejtim. Të ardhurat ishin të kënaqshme dhe viti në vazhdim pritet të jetë edhe më i suksesshëm. Qindra tonë perime e fruta, kanë furnizuar apo do të shkojnë drejt tregut. Qazim Muhametaj, një nga fermerët, tregon se, janë dhjetra prodhues të tjerë në Llakatund, që i janë rikthyer traditës së kultivimit të perimeve, frutave e ullinjve. "Llakatundi është një zonë e pasur dhe kjo po reflekton gjatë këtyre viteve", thotë ai, duke shtuar se, ndihmë e madhe në këtë drejtim janë investimet që po kryhen nga qeveria, për infrastrukturën dhe ujin e pijshëm. "Nuk i kemi patur ndonjëherë këto rrugë dhe tani shkojmë shumë më shpejt në Vlorë", shprehet Qazimi. Elidon Gjoni, një tjetër fermer, pohon se investimet që janë kryer nga qeveria për infrasrukturën rrugore, përbëjnë ndihmën më të madhe për të gjithë zonën. -Infrastruktura, ka nxitur rritjen e prodhimit- Përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës rrugore ka nxitur rritjen e prodhimit për shkak se përmirëson aksesin me tregun, ndikon në zvogëlimin e kostos etj. Rruga me gjatësi 8.2 km, që përfundoi vitin e kaluar bashkon 9 fshatra të komunës, nga Risilia në Beshisht. "Janë më shumë se 9000 banorë, që përfitojnë nga ky investim prej 135 milionë lekë, financim i qeverisë", thotë kryetari i komunës, Luli Petani. Dhe nuk është një rrugë e zakonshme fshati, përkundrazi. Është një aks me gjerësi pak më shumë se 5.5 metra, e plotësuar me elementët aksesorë, me kanalizime përgjatë saj dhe, madje edhe me sinjalistikë, pa asnjë dallim nga një rrugë kombëtare. Është një projekt me mjaft vlera për zonën dhe për fermerët e saj, që udhëtojnë shpesh drejt Vlorës për të çuar prodhimet në treg. "Është një rrugë që Llakatundi nuk e ka patur ndonjëherë dhe me shumë vlerë për të gjithë fermerët dhe banorët e tjerë", thotë fermeri Mendim Baçaj, një nga prodhuesit më të njohur në zonë. Investimi është një shembull kuptimplotë i seriozitetit dhe efektivitetit të investimeve të qeverisë në infrastrukturë, të cilat po shkurtojnë distancat mes tregut e zonave të prodhimit./ch/
KOMENTE