Ruli: Konkurueshmeria Faktor I Rendesishem Per Zhvillimin E Bujqesise
-USAID, prezanton "Programin e Zhvillimit të Lidershipit dhe Ekzekutivit në Industrinë Ushqimore"-
TIRANE, 27 Maj /ATSH-E.Xhajanka/- Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, deklaroi se "konkurueshmëria është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e prezencës së mallrave made in albania në tregjet e huaja.
Ministri Ruli i pranishëm në takimin e organizuar sot në Tiranë, nga USAID ku u prezantua "Projekti për Zhvillimin e Lidershipit dhe Ekzekutivit në Industrinë Ushqimore", tha se "Bashkëpunimi dhe zhvillimi i bujqësisë intensive bazuar në inovacione është rruga drejt zhvillimit të bujqësisë shqiptare: niveli relativisht i ulët i konkurrencës së prodhimeve bujqësore shqiptare po na pengon depërtimin në tregjet me vlerë të lartë".
Ai gjithashtu inkurajoi sipërmarrësit shqiptarë të investojnë në bujqësi, sidomos në sferën e eksporteve, e cila jo vetëm që do të rezultojë në sipërmarrje fitimprurëse, por gjithashtu do të asistojë hyrjen e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.
Ndërsa Drejtori i programit për konkurueshmërinë AAC/USAID, Juan Estrada-Valle theksoi se: "Programi i Zhvillimit të Lidershipit dhe Ekzekutivit në Industrinë e Ushqimit përbën një mundësi për sipërmarrësit që aktualisht operojnë në sektorë të tjerë të ekonomisë, për të përfituar njohuri rreth tregjeve ndërkombëtare agro-ushqimore dhe për të hyrë të parët në biznesin shqiptar të agro-eksporteve". Eshtë një iniciativë që synon të nxisë investimet në tregtinë bujqësore, nënvizoi ai.
Veprimtaria u ndoq nga më shumë se 100 investitorë shqiptarë dhe të huaj. Programi i Zhvillimit të Lidershipit dhe Ekzekutivit në Industrinë e Ushqimit do të zhvillohet në Shtator të vitit 2010-të dhe përmban seanca trajnimi intensive nga liderë globale të industrisë agro-ushqimore, i ndjekur dhe nga një vizitë studimore në kompanitë më të mëdha të zinxhirit të shitjeve me shumicë dhe pakicë në Bashkimin Evropian.
Programi AAC është kontribut i USAID-it për zhvillimin e bujqësisë shqiptare dhe bazohet mbi qasjen e zinxhirit të vlerave për të përmirësuar aftësinë konkurruese të fermave dhe të kompanive dhe për t'u mundësuar atyre shfrytëzimin e përfitimeve që rrjedhin nga globalizimi i tregjeve agro-ushqimore.
Ky program vjen si përgjigje e USAID-it përkundrejt prezencës së një numri relativisht të vogël kompanish shqiptare të angazhuara në tregtinë e produkteve bujqësore, që kufizon mundësitë e Shqipërisë për të kapur një pjesë më të madhe të tregut rajonal dhe ndërkombëtar.
Programi për zhvillimin e Lidershipit dhe Ekzekutivit të Industrisë Ushqimore synon t'i japë shtysë investimeve në bujqësi, sidomos për tregtimin e mallrave bujqësore, të ndërtojë një brez të qëndrueshëm të rinjsh, energjik dhe sipërmarrës të aftë, qe të udhëheqin eksplorimin dhe depërtimin e tregjeve të reja të produkteve bujqësore dhe të rrisë numrin e kompanive tregtare, duke krijuar kështu kërkesë për produkte të fruta-perimeve me vlerë të lartë për të përmirësuar ekonominë rurale dhe nxitur rritjen ekonomike. /a.gj/