English

Rusia Kërkon Shpjegime Lidhur Me Raketat Patriot Në Poloni

MOSKË, 27 maj /ATSH-AFP/ - Rusia kërkon shpjegime "të matura" lidhur me dislokimin në Poloni të raketave amerikane tokë-ajër të tipit Patriot, pranë enklavës ruse Kaliningrad, u shpreh sot ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. "Shpresojmë të dëgjojmë shpjegime të matura. Deri tani na kanë thënë një gjë: mos u shqetësoni, ato nuk janë kundër jush", theksoi shefi i diplomacisë ruse në një konferencë shtypi. "Këtë e kemi dëgjuar edhe më parë dhe shpresojmë se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Varshavës do të na bëjnë të mundur të marrim shpjegime më të detajuara", vazhdoi ai. Polakë dhe amerikanë shpalosën të mërkurën baterinë e parë të raketave amerikane tokë-ajër të tipit Patriot të vendosura në bazën ushtarake Morag, vetëm 60 kilometra nga kufiri me rajonin e Kaliningradit. Varshava është shprehur disa herë se vendosja e raketave në Morag u bë jo për faktin e afërsisë së kufirit, por për shkak të infrastrukturave të mira të bazës ushtarake. Çështja e mburojës amerikane antiraketë i ka acaruar prej kohësh marrëdhëniet me Rusinë, edhe pse Shtetet e Bashkuara hoqën dorë në shtator 2009 nga projekti i tyre për vendosjen në Evropë të një radari të fuqishëm dhe të interceptorëve të raketave strategjike. Administrata e Barak Obamës hartoi një projekt të ri që synon t'u kundërvihet jo më raketave me rreze të gjatë, por të shkurtër dhe mesatare veprimi pas një rishikimi të kërcënimit iranian. Ky vendim i ka zbutur shqetësimet ruse, por nuk i shmangu të gjitha kundërshtimet e Moskës. /I.Pu.
KOMENTE