Soft News - Ku Jetohet Më Mirë? Në Vjenë!
NJU JORK, 27 maj /ATSH-MIA/ - Vjena është qyteti me standardin më të lartë të mirëqenies në botë, ndërkohë që Bagdadi është i fundit, ndërsa Nju Jorku dhe Parisi janë në pozita mesatare, tregoi raporti vjetor i firmës private konsultative "Merser".
Sipas studimit, pesë qytetet ku jetohet më së miri janë Vjena, Zyrihu, Gjeneva, Vankuveri dhe Oklandi.
Parisi është në vendin e 34-t, Londra në vendin e 39-të, ndërsa Nju-Jorku në të 49-in.
Studimi bazohet në kriteret e stabilitetit politik, sigurinë, shërbimet nga shëndetësia deri te transporti dhe bankat, arti, spektaklet dhe jeta e natës.
Kritere të tjera janë arsimimi, liria e lëvizjes dhe e shprehjes si dhe gjendja e mjedisit.
Sipas këtyre kritereve Zvicra dhe Gjermania kanë nga tre qytete në dhjetëshen e parë.
Në Evropë gjendja paraqitet e rëndë në Athinë, që zë vendin e 75-të.
Në Azi më dobët përfaqësohet Daka në vendin e 206-të dhe ish-qytetet sovjetike, Bishkeku në vendin e 209-të dhe Dushanbe në vendin e 210-të.
I fundit është Bagdadi në vendin 221-të./ a.jor.