Tiranë, 27 Maj, NOA /Milena Selimi - 44 kandidatë për 11 çmime të mëdha dhe dy çmime të tjerë specialë, do të garojnë sonte në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, në mbrëmjen e edicionit të 6-të të Akademisë "Kult".
Një aktivitet ky mjaft i rëndësishëm në fushën e artit dhe kulturës, i cili ka për qëllim promovimin e artistëve që kanë sjellë vlera të padiskutueshme përgjatë vitit 2009, ku artistët e nominuar janë në kategoritë e teatrit, muzikës, të arteve pamore dhe kategorinë e librit.
Ndër kandidatët që pretendojnë çmimin e librit janë emrat e Bashkim Shehut, Eqerem Bashës, Romeo Çollakut dhe Ledia Dushit.
Fusha e përkthimit duket se sjell edhe një garë më të fortë mes konkurrentëve ku do të garojnë Aurel Plasari, Ben Andoni, Afrim Koçi dhe Virgjil Muçi.
Kategoria e interpretuesve lirikë vazhdon të konkurrojë me të njëjtët emra, që duket sikur zëvendësojnë njëri tjetrin, vit pas viti: Etleva Golemi (fituese e edicionit të tretë të Kult 2006), Armaldo Kllogjri, Evis Mula dhe Shpresa Beka.
Në konkurrentët e instrumentistëve në garë do të jenë: Suela Mullaj, Merita Rexha, Petrit Çeku dhe Dhurata Lazo.
Ndërsa albumi muzikor sjell emrat e konkurrentëve Bojken Lako, Kujtim Prodani, Djemtë e Detit dhe Big Basta.
Aktorët që do të konkurrojnë për aktorin më të mirë të vitit janë: Viktor Zhusti, Vasjan Lame, Arben Derhemi dhe Roland Trebicka, ndërsa në kategoritë aktoret-femra konkurrojnë: Yllka Mujo, Armela Demetaj , Olta Dako dhe Eva Alikaj.
Spektakli do të fillojë sonte në mbrëmje në orën 20.30 në TKOB.
m.s/n.e/NOA