Sport-Boks/ Nuri Seferi Rikthehet Në 29 Maj Ndaj Gjeorgjianit Siproshvili
TIRANË, 27 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Boksieri shqiptar Nuri Seferi do të rikthehet në ring më 29 maj për të zhvilluar një tjetër ndeshje të rëndësishme për karrierën e tij, ku do të ketë përballë gjeorgjianin Sandro Siproshvili, në një duel me 8 raunde.
Sandro Siproshvili është një boksier me përvojë në ring, pasi ka një bilanc prej 22 fitoresh (9 prej tyre me nokaut) dhe 5 humbjesh gjatë karrierës së tij 4-vjeçare. Gjatë kësaj kohe 27-vjeçari gjeorgjian ka ndarë ringun edhe me boksierë të klasit botëror siç janë Tomas Adamek, Herbie Hide, Tomasz Hutkowski.
Seferi tha për ATSH-në se "përgatitjet për këtë duel janë zhvilluar në Burgedorf (Gjermani) dhe janë marrë shumë seriozisht, edhe pse kam afërsisht pesë muaj pa boksuar, kam qenë gjatë gjithë kohës në kontakt me ringun për të mbajtur një formë sa më të mirë fizike".
Dueli mes Nuri Seferit dhe Sandro Siproshvili do të zhvillohet në të njëjtën natë ku do të zhvillohet edhe sfida për titullin e botës në peshën e rëndë (WBC) ndërmjet ukrainasit Vitali Klichko dhe polakut Albert Sosnovski. Mbrëmja e 29 majit do të zhvillohet në "Veltins Arena" të qytetit gjerman Gelsenkirchen.
Boksieri 32-vjeçar Nuri Seferi ndeshjen e fundit e ka zhvilluar në muajin dhjetor të vitit të kaluar në Vjenë (Austri) ku shënoi fitore me nokaut në raundin e pestë ndaj hungarezit Tamas Polster. Dueli ishte i vlefshëm për titullin mesdhetar të versionit WBC.
Seferi në boksin profesionist ka një bilanc prej 24 fitoresh (17 KO) dhe 6 humbjesh./s.s./