Sport-Futboll/ Kombëtarja Shqiptare Rinis Nesër Grumbullimin Në Durrës
TIRANË, 27 Maj/ATSH-Gjergji Mima/ - Futbollistët e Kombetares Shqiptare të futbollit do të grumbullohen të premten në ambientet e hotel "Durrahu", në plazhin e Durrësit, ku futbollistët do të nisin përgatitjet për ndeshjen miqësore me Andorrën, që do të zhvillohet më 2 qershor.
Pas fitores 1-0 në miqësoren e Podgoricës ndaj Malit të Zi, trajneri kroat i ekipit Kombëtar, Josip Kuzhe, iu kishte dhënë dy ditë leje lojtarëve të tij.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Kristi Vangjeli, që aktivizohet në kampionatin grek me Arisin e Selanikut, është shprehur sot optimist për një rikuperim të tij.
"Shpresoj të jem në ndeshjen me Andorrën. Jam duke punuar intensivisht me stafin mjekësor. Skuadra duhet të japë më të mirën në këtë ndeshje, megjithëse është fund sezoni dhe shumica e lojtarëve janë të lodhur", tha Vangjeli.
Kristi Vangjeli u dëmtua në 4 maj në takimin final të Kupës së Greqisë mes Arisit dhe PAOK-ut. Ky sezon ka qenë i pafat për mbrojtësin shqiptar, pasi është dëmtuar disa herë, duke u aktivizuar fare pak.
Ndërkohë, sipas burimeve nga ekipi përfaqësues, si në stadiumin e Podgoricës, ashtu edhe në stërvitjet e ekipit Kombëtar, kanë qenë të pranishëm shumë menaxherë të huaj, për të evidentuar ndonjë lojtar të ri me perspektivë.
/s.s./