English

Studimet Në Itali- Çelen Aplikimet E Pranimit Për Vitin E Ri Akademik

TIRANË, 27 Maj/ATSH/.- Studentët që synojnë të regjistrohen pranë universiteteve italiane, mund të tërheqin pranë sportelit të ambasadës një dosje të veçantë për pararegjistrimin, që përmban formularët e nevojshëm dhe udhëzimet përkatëse të plotësimit, si dhe kalendarin për paraqitjen e kërkesave. Këto kërkesa, sipas ambasadës italiane, duhet të paraqiten nga nga data 7 deri më 21 qershor. Për kryerjen e kësaj procedure nevojitet dorëzimi i dokumentacionit përkatës, i cili duhet të përmbajë kërkesën e regjistrimit të plotësuar, së bashku me dy fotokopje të thjeshta. Në këtë kërkesë duhet të shënohet vetëm një degë universitare që kandidatët duan të ndjekin. Dega e zgjedhur nuk mund të ndryshohet më në fazat e mëpasshme të aplikimit. Po ashtu, dosja duhet të përmbajë edhe formularin e autentikimit të fotografisë, duke e plotësuar me të dhënat individuale. Dosja duhet të përmbajë edhe titullin përfundimtar të shkollës së mesme në origjinal (Dëftesë Pjekurie). Për t'u regjistruar pranë universiteteve italiane, duke filluar nga ky vit, është e detyrueshme çertifikata e njohjes së gjuhës italiane "CELI 3", lëshuar nga Universiteti i Peruxhas në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Po ashtu, për të ndjekur studimet e larta në këto universitete është kusht i domosdoshëm marrja e notave kaluese në të dyja provimet fakultative, që janë të nevojshme për regjistrimin në universitetet shqiptare. Këto informacione janë të vlefshme vetëm për juridiksionin e kancelarisë konsullore të ambasadës italiane në Tiranë, saktësisht për ata studentë, të cilët pasaportën e kanë tërhequr pranë komisariateve të rretheve: Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë. Pjesa tjetër e të interesuarve duhet t'i drejtohen përkatësisht konsullatave italiane në Vlorë e Shkodër, sipas juridiksionit përkatës./e.gj//a.ke/
KOMENTE