English

Turqi - Nuk Ka Shenja Të Pranisë Së Presidentit Të Përmbysur Kirgiz

ANKARA, 27 maj /ATSH-AFP/ - Turqia nuk ka të dhëna as gjurmë të një pranie në territorin e saj të presidentit të përmbysur kirgiz Kurmanbek Bakijev, siç u shpreh sot një anëtar i qeverisë së përkohshme kirgize, njoftoi AFP-në zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme. "Nuk kemi gjurmë as të dhëna për praninë në Turqi të këtij personi", deklaroi Burak Özügergin. "Nuk kemi informacion as për një mundësi të tillë", shtoi ai. "Kourmanbek Bakiev është larguar nga Bjellorusia ku ishte strehuar dhe tashmë fshihet në Turqi", u shpreh Azimbek Beknazarov, i ngarkuar me forcat e rendit dhe drejtësinë në qeverinë e përkohshme kirgize. "Presidenti i përmbysur, Kurmanbek Bakijev, është larguar nga Misnku, dhe, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm, ai fshihet tashmë në Turqi", deklaroi ai për shtypin. Kurmanbek Bakiev është larguar nga Kirgizistani në fillim të prillit pas një kryengritjeje të përgjakshme që shkaktoi 87 të vdekur. Fillimisht, ai shkoi në Kazakistan dhe më tej u vendos në Bjellorusi. Qeveria e përkohshme kirgize ia ka hequr imunitetin, duke e akuzuar si përgjegjës për përleshjet e prillit dhe i ka kërkuar Bjellorusisë ekstradimin e tij. Ambasada turke në Kirgizistan përgënjeshtroi të martën disa informacione të shtypit për mbërritjen e presidentit të përmbysur në Turqi. /I.Pu.
KOMENTE