Vlore: Mot I Kthjellet, Favorizohet Lundrimi I Peshkarexhave
VLORË, 27 maj/ATSH-H.Koçi/.- Situata e përmirësuar atmosferike, që ka përfshirë gjirin detar të Vlorës prej dy ditësh, do të mbizotërojë edhe sot. Moti do të jetë i kthjellët dhe vlerat e temperaturave do të jenë të stabilizuara krahasuar me një ditë më parë.
Kjo tablo sinoptike do të favorizojë kushtet e lundrimit për peshkarexhat, që kanë dalë për gjueti brenda dhe jashtë gjirit detar të Vlorës. Ndërkohë, mësohet se ndryshimi i drejtimit të erës do të përgatisë kushtet për një keqësim gradual të motit, gjë që pritet të ndodhë në fundjavë.
Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se, sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Jug-Jugperëndim, me shpejtësi që do të variojë nga 2-4 m/sek, deri në 6-8 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 25-27 gradë celsius dhe ato minimale në 13-15 gradë celsius. Valëzimi parashikohet të jetë 0-1 ballë brenda gjirit detar dhe 3-4 ballë në det të hapur.
Trageti "Red Star" i linjës detare Brindisi-Vlorë do të lundrojë sot në itinerarin e kthimit drejt portit italian në orët e mesditës. /a.ke/