Bruksel, 27 Maj, NOA – Një zyrtare e lartë evropiane thotë për BBC-në se propozimi i Komisionit Evropian që Shqipërisë dhe Bosnjës t'i ofrohet regjim pa viza në vendet e Shengenit është gurë-themeli i politikës së BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Në një intervistë për BBC-në, Maja Koçijançiç, zëdhënësja e ministres së Jashtme Evropiane, Catherine Ashton, tha, megjithatë, se ngërçi politik në Shqipëri po dëmton afrimin e mëtejshëm të vendit me BE-në.
Zonja Koçijançiç tha se Kosova ishte pjesë e rëndësishme e perspektivës evropiane, megjithëse ajo ende nuk është përfshirë në planet e BE-së për regjimin pa viza.
Ajo inkurajoi udhëheqjen e Kosovës dhe Serbisë të kenë qasje "pragmatike të interesit të përbashkët" dhe tha se Konferenca e nivelit të lartë BE-Ballkan Perëndimor në Sarajevë javën e ardhshme do të nxisë nismat e bashkëpunimit.
Komisioni Evropian ka hapur dritën e gjelbër për liberalizim të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë Hercegovinën. Ç'ka nënkupton kjo për këto vende dhe cili është tani hapi i ardhshëm?
Ju e dini se procesi i liberalizimit të vizave i është ofruar Ballkanit Perëndimor kohë më parë por natyrisht me disa kushte. Komisioni Evropian sot e ka bërë publik njoftimin se edhe Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës duhet t'u ofrohet qasja pa viza. Sipas pikëpamjes sonë kjo shënon një gurë-themel për politikat e integrimeve të Ballkanit Perëndimor dhe diçka shumë e rëndësishme, por gjithashtu është një hap konkret për njerëzit në rajon që ata ta ndjejnë se BE-ja është shumë serioze në përkushtimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe më saktësisht për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Por të dyja vendet, e posaçërisht Shqipëria, kanë ende detyra për të përmbushur. A s'është kjo një punë shtesë për këtë vend?
Ashtu është, por e thashë se për të gjitha vendet e rajonit kishte një udhërrëfyes të përcaktuar me të gjitha kushtet që duhej të plotësoheshin. Kjo u përcaktua për shkaqe të ndryshme. Është e vërtetë se disa gjëra ende duhet të përmbushen, por ne jemi optimist se kjo do të ndodh dhe se të dyja vendet do të kenë mundësi ta bëjnë këtë. Jemi optimist se vendimi do të jetë pozitiv dhe se liberalizimi i vizave do të bëhet më vonë gjatë vitit në nivel të BE-së.
Pra, liberalizim të vizave brenda vitit?
Ne mbesim optimist se kjo do të ndodhë këtë vit dhe se të dyja vendet, duke u bazuar në rezultatet e mira që tashmë i kanë treguar, do të përmbushin kriteret e mbetura me kohë. Dhe pastaj ne do të kemi mundësi që të kemi një vendim më vonë.
Ndërsa po flasim ka një ngërç politik në Shqipëri, një përplasje mes qeverisë dhe opozitës. Mund të ketë kjo një lloj ndikimi në vendimin që mund të marrë BE për liberalizim të plotë të vizave?
Kjo nuk është një çështje e ndërlidhur drejtpërdrejtë. Por ajo që mund të them është se ngërçi aktual politik po e dëmton imazhin e demokracisë në Shqipëri dhe po pengon reformat e rëndësishme si dhe punën ligjore që vendi duhet të bëjë. Në përgjithësi kjo nuk i ndihmon përpjekjet e vendit për të përparuar drejt BE-së.
Çfarë po bën atëherë BE-ja për të tejkaluar situatën? Po lehtëson dialogun apo po ndërmjetëson për të gjetur zgjidhje?
Ju jeni në dijeni se edhe përfaqësuesja e lartë Catherine Ashton dhe komisioneri për zgjerim Stefan Fule po e mbështesin nismën e dy deputetëve të Parlamentit të Evropës, që në emër të grupeve politike po punojnë që të ndihmojnë Shqipërinë që të gjejë një zgjidhje.
Le të flasim pak edhe për Kosovën. Ajo nuk u përfshi në proces të liberalizimit të vizave megjithëse u tha se brenda këtij viti pritet të jepet një lloj udhëzuesi për këtë gjë. A do të jetë Kosova së shpejti në tryezë për liberalizim?
Në të vërtetë, ky nuk është vendimi ynë për momentin, por është e vërtetë se Kosova është pjesë e perspektivës evropiane dhe pjesë e perspektivës që iu dha gjithë Ballkanit Perëndimor. Kjo në një kohë të caktuar do të vihet në tryezë gjithashtu.
Le të flasim pak edhe për Kosovën. Ajo nuk u përfshi në proces të liberalizimit të vizave megjithëse u tha se brenda këtij viti pritet të jepet një lloj udhëzuesi për këtë gjë. A do të jetë Kosova së shpejti në tryezë për liberalizim?
Në të vërtetë ky nuk është vendimi ynë për momentin, por është e vërtetë se Kosova është pjesë e perspektivës evropiane dhe pjesë e perspektivës që iu dha gjithë Ballkanit Perëndimor. Kjo në një kohë të caktuar do të vihet në tryezë gjithashtu.
Kur jemi tek Kosova dhe me këtë edhe Serbia çfarë po kërkoni nga të dyja palët që të ulin tensionet mes vete?
Ne u kemi bërë thirrje edhe Prishtinës edhe Beogradit që të kenë një qasje pragmatike rreth çështjeve të interesit të përbashkët. Është me rëndësi që këto çështje që mund të jenë shumë praktike të zgjidhen me dialog dhe me bashkëpunim. Ju e dini se në perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor marrëdhëniet e mira fqinjësore janë shumë të rëndësishme.
Dhe ky është një lloj kushti që një vend të bëhet anëtar i BE-së?
Siç e thashë marrëdhëniet e mira fqinjësore janë elemente kyçe në procesin e stabilizim-asociimit.
Një takim i nivelit të lartë të vendeve të rajonit dhe BE-së pritet të mbahet në më pak se një javë në Sarajevë. Ka pritje të mëdha gjithandej nga takimi, por ka patur edhe shumë zëra që thonë se këto pritje nuk do të përmbushen, sepse, siç thuhet, "Ballkani do të jetë pjesë e BE-së diku nga viti 2020"?
Ajo që mund të them është se kjo konferencë në Sarajevë më 2 qershor do të riafirmojë përkushtimin e saj për Ballkanin Perëndimor si të perspektivës evropiane ashtu edhe asaj të anëtarësimit për këtë rajon, sipas një konsensusi për zgjerimin që e ka arritur BE-ja. Gjithashtu do të shënojë edhe 10-vjetorin e fillimit të procesit, dhe me siguri ju kujtohet samiti i Zagrebit kur pas ndryshimeve të rëndësishme në rajon procesi nisi dhe perspektiva evropiane për Ballkanin për herë të parë u sigurua në nivelin më të lartë. Përkushtimi i BE-së këtu është shumë i qartë, por ajo që është me rëndësi është që vendet e rajonit të Ballkanit të bëjnë pjesën e punës së tyre. Gjithashtu presim që në këtë konferencë vendet e rajonit do të përkushtohen për intensifikimin e reformave që duhet të bëjnë me qëllim që t'i përafrohen BE-së. Kjo sepse është një monedhë me dy anë: njëra i takon BE-së por vendet e rajonit duhet të bëjnë reformat e tyre me qëllim që t'i përafrohen BE-së.
Shumica e vendeve kanë konfirmuar se do të jenë pjesëmarrëse, në mesin e tyre edhe Kosova dhe Serbia. E shihni këtë si një rast të mirë që të dyja palët të fillojnë dialogun edhe para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?
Ne i mirëpresim të gjitha nismat që promovojnë marrdhëniet e mira fqinjësore dhe gjithashtu edhe pajtimin si dhe që i afrohen ato. Kjo shënon përparim. Ne mendoj se proceset duhet të jenë gjithëpërfshirëse, që nënkupton se të gjithë janë në një tryezë dhe do të thosha se kjo është një gjë e mirë.
Më lejoni t'ju pyes nëse zyra e zonjës Ashton do të ndihmojë dialogun mes Prishtinës e Beogradit?
Siç e dini, përfaqësuesja e lartë Catherine Ashton do të marrë pjesë në këtë konferencë dhe ne jemi mbështetës të nismave që promovojnë marrëdhëniet e mira. Ne kemi vendosur një sistem dhe proces ku të gjitha këto çështje janë të mundshme.
Dhe së fundi do të ketë zgjedhje lokale serbe në territorin e Kosovës nga fundi i javës. A shënojnë ato shkelje edhe të Rezolutës 1244 dhe të tërësisë tokësore të Kosovës?
Ne jemi në dijeni se këto zgjedhje janë paraparë të zhvillohen nga strukturat paralele. Por sikundër e dini, BE-ja, ashtu si edhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare, e sheh Kosovën si një entitet unik. Dhe parimi udhëzues është se BE-ja nuk i njeh strukturat paralele.
BBC