English

Agrobiznesi Kërkon Heqjen E Tvsh-Së Për Sektorin E Bujqësisë

-Intervistë me presidentin e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), Enver Ferizaj- TIRANE, 28 Maj /ATSH-E.Xhajanka/- Heqja e TVSH-së për sektorin e bujqësisë dhe ndalimi i ndërtimeve në tokat bujqësore, me qëllim zhvillimin e tokës, janë dy kërkesat që pritet t'i paraqesë qeverisë, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH). Këto kërkesa, KASH do të bëjë në Kongresin e 3-të, që do të mbahet në fillim të muajit qershor, tha sot në një intervistë për ATSH-në, Presidenti i KASH-it, Enver Ferizaj. "Kongresi i 3-të i Agrobiznesit, që do të zhvillohet më 10 qershor në Tiranë, është aktiviteti më i madh që KASH organizon këtë vit, ku do të diskutohet për drejtimet kryesore të punës për të ardhmen në mbështetje të interesave të fermerëve dhe agroindustrisë", tha Ferizaj. Duke e vlerësuar bujqësinë si një nga sektorët prioritarë të ekonomisë shqiptare, ku është e punësuar 50% e popullsisë, Ferizaj vuri në dukje se në këtë konteks, bujqësia ka qënë dhe mbetet në vëmendje të qeverisë. "Vëmendja që qeveria po i kushton sot këtij sektori, ka ngjallur interesin e fermerëve dhe emigrantëve", tha Ferizaj. Ai nënvizon se në katër vitet e fundit është ndjerë prezenca e qeverisë me ndihma direkte (subvencione) për fermerët. "Vitin e parë qeveria mbështeti me 5 milion dollarë subvencione tre kultura si ulliri, vreshtaria dhe pemtaria. Pastaj në fazën e dytë me 13 milionë dollarë dhe në fazën e tretë me 15 milionë dollarë. Pa llogaritur këtu edhe ndihma të tjera, që janë dhënë në formën e investimeve në rrugët rurale, gjë që ndihmon sektorin e bujqësisë", tha Ferizaj. Sipas tij, KASH ka kontribuar në hartimin e shumë ligjeve, ka ngritur zërin që qeveria të japë grante për fermerët, si e vetmja zgjidhje për zhvillimin e bujqësisë, duke argumentuar se fragmentizimi i bujqësisë shqiptare nuk mund të konkurrojë bujqësitë e rajonit dhe ato europiane dhe në këto kushte zgjidhja është dhënia e granteve direkte e të pakthyeshme për fermerët, si dhe asistenca e projekteve të ndryshme, etj. "Ne po punojmë që fermerët të hyjnë në kooperativa, por jo në kuptimin e keq të tyre. Ne jemi anëtarë të grupit të punës për hartimin e ligjit për kooperativat bujqësore që ka shkuar në ministritë e linjës dhe pritet të kalojë në qeveri dhe më pas në Kuvend për miratim. Ky ligj do të rregullojë marrëdhëniet mes anëtarësisë dhe aseteve që duhet të kenë, detyrat, etj", shpjegon Ferizaj. Duke u ndalur në zhvillimet aktuale të këtij sektori, me të cilin është e lidhur gjysma e popullsisë, Ferizaj tha se bujqësia përballet me shumë probleme, që edhe pse janë bërë përpjekje për zgjidhje, përsëri ekzistojnë. Sipas tij, problemi i pronësisë mbi tokën, regjistrimi i saj në të gjithë vendin, do të hapnin rrugë transaksioneve dhe zhvillimit intensiv. Kreu i Agrobiznesit vuri në dukje se, problem është edhe kullimi i tokave. Megjithëse është investuar shumë, ky sektor kërkon më shumë vëmendje dhe marrjen e masave për eliminimin e përmbytjeve të tokave bujqësore. KASH-i ka si mision mbrojtjen e interesave të agrobiznesit dhe fermerit shqiptar. Ajo ka 25 shoqata anëtare që operojnë në sektorë të ndryshëm të industrisë ushqimore dhe strukturat e saj shtrihen në 36 rrethe të vendit. /s.s./
KOMENTE