Ambasadori Withers: Vendimi Për Rrëzimin E Kandidaturës Së Vangjel Kostës, Befasues
TIRANË, 28 Maj/ATSH/- Ambasadori i SHBA-së në në Tiranë, John Withers, e quajti sot si befasues vendimin e Kuvendit për rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
I pranishëm në forumin "Gjykatat në Demokraci", të organizuar sot në Tiranë, Ambasadori Withers shprehu shqetësimin lidhur me emërimet për anëtarët e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke thënë se "mes shumë institucioneve që përbëjnë gjyqësorin dhe pavarësinë e të cilave duhet ta garantojmë, nuk ka më të rëndësishme se sa këto dy organe".
"Të gjithë jemi të shqetësuar, të gjithë jemi të trazuar nga rrëzimi prej parlamentit i një kandidati shumë të shquar dhe shumë të kualifikuar, Vangjel Kosta. Mënyra dhe mungesa e transparences në rrugën se si u arrit ky vendim është befasues", tha Ambasadori Withers.
Ambasadori amerikan shprehu dëshirën "që gjatë kohës kur shqyrtohen të emëruar të tjerë, si për Gjykatën Kushtetuese, ashtu edhe për Gjykatën e Lartë, do të tregohet shumë më tepër konsideratë për kualifikimin e kandidatëve, për të drejtën e popullit shqiptar për informim mbi procedurat, si dhe për aftësinë e vetë kandidatit për të përftuar një seancë dëgjimore të hapur dhe më të ndershme"./a.m/s.s./