Basha : Siguria E Kufirit Një Nga Parakushtet Që Garanton Lëvizjen E Lirë Të Njerëzve Drejt Be
- Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha në Forumin "Shqipëria drejt BE, hapja e kufijve për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave"
TIRANË, 28 Maj /ATSH - Mira Shkurta / - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha e ka cilësuar sot sigurinë e kufirit, si një ndër parakushtet themelore që garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve në hapësirën "Shengen".
I ftuar në Forumin "Shqipëria drejt BE, hapja e kufijve për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave", i organizuar paraditen e sotme në Hotel "Tirana Internacional", ministri i Brendshëm. theksoi se "Shqipëria është një eksportues sigurie në të njëjtën masë, në të njëjtën formë, në të njëjtën mënyrë strategjike si ajo që demonstroi para vendeve anëtare të NATOS, pjesa më të madhe e të cilave janë anëtare të BE."
Gjatë fjalës së tij Basha vuri në dukje se " Shqipëria sot është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, i cili ka integruar sistemin on -line plotësisht në të 24 pikat e kalimit kufitar, duke siguruar komunikimin në kohë reale midis të gjithë posteve të kontrollit kufitar, të gjitha këto të lidhura me Dhomën e Operacionale në Policinë e Shtetit."
"Përmes aplikimit të metodave më bashkëkohore,Shqipëria sot është një partnere e denjë në sfidën për sigurinë europiane , në luftën e përbashkët kundër krimit dhe në veçanti në luftën kundër krimit transkufitar si dhe një partnere nga më të suksesëshmet në Europën Juglindore në luftën kundër narkotrafikut."-tha Basha.
Është arritur ndërlidhja e këtij sistemi modern me të gjitha sistemet e tjera siç është ai i gjendjes civile, i kontrollit automatik të shenjave të gishtërinjëve,sistem i cili funksionon në lidhje paralel on - line me sistemet e shërbimit konsullor , duke bërë të mundur që hapësirat për abuzim në brezin kufitar shqiptar të vijnë duke u ngushtuar, tha kreu i ministrisë së Brendshme.
Qendra Operacionale Detare, tha ministri i Brendshëm, ka treguar se po bën më të sigurtë kufirin blu shqiptar , por gjithashtu ajo po jep një kontribut të rëndësishëm në monitorimin , përmes një sistemi radarësh edhe për hapësirën detare që shtrihet përtej kufijëve tanë territorialë.
Ministri i Brendshëm bëri të ditur gjithshtu se "me propozimin e bërë para disa ditësh nga autoritetet franceze, po shihet mundësia që kjo qendër të funksionojë jo vetëm si një qendër kombëtare shqiptare,por si një qendër rajonale për gjithë rajonin e Adriatikut dhe të Jonit."
Aktiviteti i sotëm, tha Basha, zhvillohet vetëm një ditë pas marrjes së vendimit nga Komisjoni Europian për t'i propozuar Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave të BE-së, heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Aktiviteti përmbyll serinë e veprimtarive të zhvilluara në kuadrin e një programi mbështetës për mediat shqiptare, të financuara nga BE dhe i drejtuar nga France Cooperation Internacionale dhe AFP Foundation, që synon të inkurajojë gazetarët shqiptarë në procesin e raportimit për zgjerimin e BE-së dhe sfidat që paraqet procesi i integrimit për Shqipërinë dhe shqiptarët.
"Sot jemi para një momenti analize të dyfishtë , së pari rruga që na solli deri këtu dhe metrat e fundit për të bërë të mundur kalimin nga vendimi i djeshëm i Komisjonit Europian, deri në lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë pa viza në hapsirën "Shengen. Arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e vizave, si pjesë përbërëse e një procesi shumë më madhorë, atë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, në shumë fusha janë arritje të përbashkëta me BE-në, me institucionet e tij, si dhe me vendet anëtare."-tha Basha.
Në këtë bashkëpunim ministri i Brendshëm vlerësoi të rëndësishme ndihmën që Qeveria Franceze i ka dhënë Shqipërisë , në planin politik, para dhe gjatë procesit të plotësëimit të kritereve të Udhërrëfyesit, si një avokate zëlartë e Shqipërisë në KE dhe BE.
Ai vlerësoi gjithashtu edhe rolin e veçantë që firma "SAZHEM" ka luajtur jo për faktin e përmbushjes së kontratës me qeverinë shqiptare për prodhimin e dokumentave elektronikë dhe pasaportave biopmetrike, por për krijimin e standarteve model, standareteve më të larta të aplikueshme në Europën Juglindore dhe në disa shtete me standartete më të larta , vende anëtare të BE-së.
"Sot Shqipëria është një ndër vendet që ka praktikat më të mira të Regjistrit Kombëtar Civil të shtetasve, si dhe sigurisë së dokumentave për qytetarët. Bërja realitet e ëndrrës së çdo shqiptari për lëvizjen e lirë në hapësirën "Shengen" është një ndihmë e madhe edhe do të ndihmojë jo vetëm në kontaktet midis të rinjve, por edhe midis biznesit , nëpërmjet lëvizjes pa pengesa të qytetarëve, duke iu bashkangjitur marrëveshjeve të shumta midis Shqipërisë dhe BE-së,"-tha Basha.
Liberalizimi i vizave , në terma ekonomik, për ministrin e Brendshëm do të thotë që ekonomia shqiptare dhe qytetarët shqiptarë nuk do të duhet më të shpenzojnë 70 -90 milion euro në vit, duke paguar tarifat konsullore, ne ambasadat e BE-së.
Në përgjigje të pyetjeve të studentëve të gazetarisë të Universitetit të Tiranës mbi rolin e opozitës për liberalizimin e vizave dhe për letrën drejtuar Kryekomisionerit Barroso nga Kryetari i Partisë Socialiste Z. Edi Rama, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u përgjigj se " do të kisha dashur të shikoja një kontribut thelbësor nga opozita për liberalizimin e vizave. Është e lehtë të kritikosh sot kur kontributi yt është mjaftuar me lëvizje mbi dhe nën rrogoz kundër disa prej kritereve themelore që Shqipëria përmbushi, që qeveria shqiptare ishte e angazhuar të përmbushte në drejtim të liberalizimit të vizave. Në këtë kuadër më vjen keq por duhet të risjell në vëmendje goditjet e dështuar ndaj integritetit të sistemit të dokumentave të sigurta, të letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike, apo deklarata të tjera të papërgjegjshme përsa i përket potencialit migrator të Shqipërisë, apo sigurisë së kufijve, luftës kundër krimit etj."
"Pra nuk jam absolutisht i kënaqur si Ministër i Brendshëm, por edhe si koleg deputet me kontributin institucional të opozitës në këtë drejtim, ndonëse ka një rezolutë parlamentare kjo mbetet në suazën e një deklarate, deklarative, ndërkohë që në kuptimin thelbësor kam vërejtur me shqetësim përpjekjet për ta vonuar apo për ta dëmtuar qoftë edhe nga ana e imazhit përpjekjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave jo nga opozita në tërësi, por nga eksponentë të rëndësishëm të opozitës. Në këtë kontekst, më vjen keq por letrën e zotit Rama drejtuar Kryekomisionerit Barroso, disa orë pasi komisioni kishte mbaruar punë me propozimin për liberalizimin e vizave e shikoj si një shfajësim të panevojshëm të zotit Rama", përfundoi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha./a.gj/