Be - Një Grabitje Ndodh Në Ambientet E Parlamentit Evropian, Në Kërkim Hajduti
BRUKSEL, 28 maj /ATSH-ANSA/ - Në korridoret e Parlamentit Evropian agjentët e sigurisë kanë nisur të kërkojnë një hajdut pasi morën alarmin se një punonjëse e shoqërisë që menaxhon mensën është sulmuar dhe vjedhur nga një person.
Episodi ka ndodhur pak më parë, ndërsa ambientet e Parlamentit evropian janë thuajse të zbrazët, pasi pjesa më e madhe e europarlamentarëve këtë javë kanë qenë të angazhuar në zonat e tyre elektorale.
Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes, gruaja që sapo doli nga mensa me xhiron ditore, për ta depozituar pranë një banke të brendshme të Parlamentit, u sulmua nga një person me fytyrën e mbuluar me një shall.
Nuk shërbeu as ndërhyrja e një dëshmitari okular i cili u detyrua të tërhiqej pasi agresori e kërcënoi me një objekt që ende nuk dihet nëse ishte armë.
Në fund grabitësi arriti t'i marrë punonjëses dy kasat në të cilat ndodheshin paratë, duke u larguar menjëherë me një ashensor. Menjëherë pas dhënies së alarmit, agjentët e sigurimit bllokuan të gjitha daljet nga ndërtesa, përfshi ato të garazheve, dhe aktualisht po kontrollon të gjithë personat që ndodhen brenda.
/e.v/