English

Berisha:Heqja E Vizave, Universi I Gjithë Reformave Të Qeverisë

LAPARDHA, 28 Maj/ATSH-Flora Nikolla/.- Disa qindra qytetarë të komunës Otllak dhe fshatit Lapardha, nën siglen 'Shqipëria po ndryshon" përshëndetën të premten në mesditë, vizitën e kryeministrit Sali Berisha, i cili po inaguron sot një seri veprash publike në zonën e Beratit, një nga zonat në të cilën edhe gjatë qeverisjes së kaluar, i ka kushtuar prioritet në dhënien e fondeve për zhvillimin kryesisht të infrastrukturës e bujqësisë. Kreu i Qeverisë, i shoqëruar nga deputeti i zonës dhe autoritetet vendore shpjegoi arsyet e vendimit historik që mori dje Komisioni Europian për Shqipërinë e Bosnje Hercegovinën lidhur me liberalizimin e vizave. "Heqja e vizave përbën një ndër arritjet më madhore për historinë e Shqipërisë, sepse përmes saj, qytetarët e një vendi të vogël do të mundin të lëvizin të lirë në hapësirën europiane, si kurrë ndonjëherë më parë", u shpreh kryeministri Berisha. "Me heqjen e vizave, çdo qytetar shqiptar fiton një dinjitet të ri, atë të të qënit qytetar europian. Me heqjen e vizave familjet shqiptare shuajne mallin për djemtë e tyre. Ata do të mund të shkojnë, të takohen dhe të ndajnë mes tyre gezimet e hidherimet", tha ai. Kreu i qeverisë, duke folur para qytetarëve të komunës Otllak u kujtoi atyre se heqja e vizave përmban njëkohësisht një ndër premtimet më të mëdha të qeverisë që ai drejton. "Vendimi i djeshëm i Brukselit ka në themel vlerësimin e të gjitha arritjeve e përpjekjeve, seriozitetit e përgjegjshmërisë sonë", theksoi Berisha duke iu referuar arsyeve, se përse Brukseli ndërmori dje këtë vendim historik. Duke vijuar më pas ai tha se "ne zhvilluam zgjedhje të lira e të ndershme dhe në këto zgjedhje votuan qytetarë me liri plotë". "Por, vijoi Berisha, ky vendim për heqjen e vizave vjen si rezultat i luftës me zero tolerancë ndaj krimit duke luftuar bosët e mafies që bënin ligjin si Aldo Bare, Nehat Kulla etj. Po ashtu ajo erdhi si rezultat i luftës ndaj formave të krimit dhe shembjes së korrupsionit". Ai kujtoi në këtë takim se, tre ditë më parë, Shqipëria mori çmimin më të madh duke u shpallur vendi i parë me prokurime 100% elektronike. Gjithashtu, heqja e vizave eshtë realizim i përpjekjeve të thella, tha ai, që ne të pajisemi me dokumentat më të sigurta në Evropë, por dhe si rezultat i vendosjes në kufij të sistemeve më moderne të kalimit në to. "Heqja e vizave ishte universi i tërë reformave, tha Berisha, duke rikujtuar këtu qëndrimin e një sërë skeptikëve të cilët jo më shumë se një herë ishin shprehur se Shqipëria nuk do ta gëzonte këtë vendim. Ju garantoj se rrugën drejt Evropës nuk do t'a pengojë askush", tha kreu qeverisë./n.m/
KOMENTE