English

Berisha: Qeveria, Çdo Përpjekje Për Të Përmirësuar Infrastrukturën Dhe Jetën E Banorëve Të Lapardhasë

- Kryeministri Berisha inauguron një sërë veprash publike në Qarkun e Beratit - BERAT, 28 Maj/ATSH-Flora Nikolla/.- Kryeministri Sali Berisha siguroi sot në mesditë banorët e komunës së Otllakut, një zonë mjaft e pasur bujqësore në qendër të Shqipërisë, se "do të bëjë çdo përpjekje për të përmirësuar infrastrukturën dhe jetën e tyre". I pranishëm në inaugurimin e një sërë veprash publike, kreu i qeverisë para disa qindra banorëve të kësaj komune, tha se "është përfunduar projekti i rrugës Berat-Memaliaj dhe i është dorëzuar institucioneve financiare". "Premtimin për ndërtimin e këtij projekti do t'a bëjmë realitet, sepse nuk do të pranojmë që Berati të mbetet si xhep", tha kreu i qeverisë, duke nënvizuar se "politika pa xhepa, është politika jonë". "Ne do ta realizojmë këtë", tha ai, "sepse lidhja mes Beratit, Sarandës, Tepelenës dhe Gjirokastrës, krijon një kompleks mahnitës turistik për Shqipërinë dhe botën". Përmes kësaj rruge, vijoi Berisha, "ju do mund të arrini në Tiranë gati 3 herë më shpejt se më parë, duke çuar në këtë mënyrë edhe më të sigurta prodhimet tuaja të mrekullueshme". Ai garantoi edhe njëherë banorët e kësaj komune se qeveria që ai drejton, do të jetë gjithmonë pranë tyre për t'i dhënë kësaj zone fizionominë europiane. Duke qenë konkret në premtimet ndaj banorëve të Lapardhasë, ai tha se "rruga që lidh këtë fshat me rrugën kombëtare, do të rindërtohet, ashtu sikundër do të rindërtohet edhe ura me Lumasin me parametra europianë". Kreu i qeverisë konfirmoi para banorëve të kësaj zone, rritjen e pensioneve dhe të rrogave të buxhetorëve nga data 1 korrik. "Ju siguroj se 1 korriku do të jetë tjetër për ju. Rrogat dhe pensionet do të rriten", tha kreu i qeverisë. /m.m//n.m/
KOMENTE