English

Çeki - Fillon Votimi Për Zgjedhjet Legjislative

PRAGË, 28 maj /ATSH-AFP/ - Qendrat e votimit u hapën sot në orën 14:00 (12:00 GMT) për zgjedhjet legjislative në Republikën Çeke, 12 muaj pas vënies në funksionim të qeverisë së përkohshme e drejtuar nga ish-shefi i zyrës së statistikave, Jan Fischer. Rreth tetë milionë zgjedhës çekë janë ftuar të zgjedhin 200 deputetë të Dhomës së Ulët. Votimi do të zhvillohet deri në orën 20:00 GMT të ditës së sotme dhe nesër (të shtunën) nga ora 06:00 GMT deri në orën 12:00 GMT, në 14 760 qendra votimi të këtij vendi me 10,4 milionë banorë. Socialdemokratët, CSSD, e ish-kryeministrit Jiri Parubek, të cilët e kanë përqendruar fushatën në premtimet për më tepër avantazhe sociale, ishin në krye të sondazheve të fundit. Partia e djathtë ODS, aktualisht e drejtuar nga nënkryetari i saj, Petr Necas dhe që shprehet për masa të rrepta ekonomike për të përmirësuar gjendjen e financave publike, ndodhet në vend të dytë. Komunistët, KSCM dhe dy grupime të reja, TOP 09 (e djathtë) e ish-shefit të diplomacisë Karel Schwarzenberg, dhe Çështjet publike (VV, centriste) e ish-gazetarit Radek John mendohet gjithashtu se do ta kalojnë pragun e zgjedhshmërisë prej 5 për qind. Rezultatet përfundimtare priten gjatë natës duke u gdhirë dita e diel. Më tej do të fillojnë bisedimet për formimin e një koalicioni qeveritar, pasi asnjë prej 25 partive në garë nuk mund të shpresojë se do të marrë mjaftueshëm vota për të qeverisur e vetme. "Ekziston një faktor për mobilizimin, kriza ekonomike. Kjo është një arsye e rëndësishme që njerëzit të shkojnë të votojnë", i deklaroi AFP-së politologu Tomas Lebeda, i Institutit të sociologjisë të Akademisë së Shkencave. Në vitin 2006, përqindja e pjesëmarrjes ishte 64,47 për qind. Zgjedhjet legjislative zhvillohen çdo katër vjet, me proporcional, në 14 zona elektorale që përputhen me rajonet administrative të vendit. Dhoma e Deputetëve (Dhoma e Ulët) përbën një element kryesor të procesit legjislativ: shumicën absolute të votave të mjaftueshme për të miratuar një dokument nëse Senati (Dhoma e Lartë) e kundërshton ose nëse presidenti kërkon të ushtrojë të drejtën e vetos. Fituesi i zgjedhjeve legjislative, në përgjithësi kryetari i partisë që merr numrin më të madh të votave, zgjidhet kryeministër nga presidenti i Republikës dhe ngarkohet me formimin e qeverisë. Qeveria e re kërkon besimin e Dhomës së Ulët, 30 ditë pas zgjedhjes. Dhoma e Deputetëve e ka selinë në Pallatin Thun, ndërtesa e bukur e stilit barok e ndërtuar në fillim të shekullit XVII poshtë Kështjellës së Pragës ku ndodhej Dieta provinciale deri në vitin 1861, Senati i Asamblesë kombëtare të republikës së parë çekosllovake (1918-1938), më tej Këshilli Kombëtar çek, në kohën e Çekosllovakisë komuniste. /I.Pu.
KOMENTE