English

Dhëmbi: Kemi Disbursuar Fondin Shtesë Për Kompensimin E Energjisë Elektrike

TIRANE, 28 Maj/ATSH-A.Gjonaj/.- Kompensimi i energjisë elektrike per familjet në nevojë akorduar nga buxheti i shtetit për këtë vit është 2.5 miliardë lekë në total. Drejtorja e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, u shpreh të premten për ATSH-në se "MF ka disbursuar edhe fondin prej 1 miliardë lekësh që i bashkangjitet fondit prej 1.5 miliardë lekësh parashikuar që në fillim të vitit në buxhet dhe që do të shkojë për shtesën e kompensimit të energjisë elektrike, pas rritjes së çmimit të energjisë nga 1 janari i këtij viti". Ky fond, deklaroi Dhëmbi, parashikon një rritje të masës së kompensimit të familjeve me rreth 140 lekë në muaj, duke shkuar 640 lekë në muaj nga 500 lekë që ishte në vitin 2009. Sipas saj, nga ky vendim do të vazhdojnë të përfitojnë familjet që mbështeten me ndihmë ekonomike, personat e paaftë për punë, të shpallur të tillë nga komisionet (KPCAP), punonjësit me pagë nën 35 mijë lekë, pensionistët e vetëm apo që kanë në ngarkim persona të tjerë. Që nga 1 janari, qytetarët shqiptarë paguajnë më shumë për konsumin e energjisë elektrike, pasi çmimi i saj u rrit mesatarisht me 13 për qind, sipas vendimit të Entit Rregullator të Energjise në dhjetor të vitit të shkuar. Vendimi i qeverisë, i marrë në javën e parë të prillit, tre muaj pas rritjes së çmimit te energjise, përcakton masën e re të përfitimit dhe kategoritë. Nga 500 lekë që ishte, kompensimi në muaj për faturën e energjise u rrit me 140 lekë, duke shkuar 640 lekë, ose 28 për qind më shumë. Vitin e kaluar ishin rreth 270 mijë pensionistë, të sëmurë dhe familje me të ardhura nën 35 mijë lekë në muaj. /a.ke/
KOMENTE