English

Durrës: Konferenca Për Skënderbeun Sjell Elementët Më Të Rëndësishëm Të Mesit Të Shek. Xv

DURRËS, 28 Maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ .- Elementët më të rëndësishëm të ngjarjeve të mesit të shek. XV, kur Shqipëria u bë mburoja e Evropës Perëndimore nga hordhitë otomane, u sollën sot në konferencën ndërkombëtare "Gjergj Kastrioti-Skënderbeu: historia dhe imazhi", nga studiuesit e mesjetës nga vendi e Kosova. Pjesëmarrësit në konferencën e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanalogjike dhe Universiteti "Marin Barleti", në Hotel "Adriatiku" në Durrës, në prani të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, trajtuan edhe tema pak të njohura që mbështeten në dokumentacione dhe arkiva të vendeve aleate të Skënderbeut, si Vatikani, Republika e Venedikut, etj. Prof. Pëllumb Xhufi u ndal në marrëdhëniet mes Skënderbeut dhe Alfonsit të Napolit, të cilët shfrytëzonin aftësitë dhe kapacitetet ushtarake dhe diplomatike në interes të vendeve që drejtonin në të dy anët e Adriatikut. Studiuesi i njohur, prof. Luan Malltezi, në temën "Skënderbeu dhe qytetet e bregdetit shqiptar" dhe Prof. Muhamet Mala, nga Universiteti i Prishtinës, me temën "Konteksti kombëtar dhe fetar i luftës së Gjergj Kastriotit", përmblodhën rezultatet e punës së tyre shkencore disavjeçare. Të pranishmit ndoqën me interes edhe trajtesat "Brezi lindor i tokave shqiptare dhe lufta e Skëndebeut" nga Prof. Ferit Duka, si dhe "Tiparet psikosociale të figurës së Skënderbeut" nga Dr. Zamira Çavo. Në konferencë folën edhe studiues të tjerë si Lekë Sokoli, Reis Mulita, Drinat Egro, etj./s.s./
KOMENTE