English

Durres: Mot I Paqendrueshem Me Reshje Lokale Dhe Det I Trazuar

DURRES, 28 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Moti i paqëndrueshëm me erë të fortë dhe kushtet detare të pafavorshme do të karakterizojnë sot situatën metereologjike në rajonin e Durrësit. Burime nga kapiteneria e portit bënë të ditur për ATSH-në se dy tragete me udhëtarë dhe kamionë, që mbërritën nga Bari (Itali), janë ankoruar tashmë në kalatat e portit më të madh të vendit, ndërsa kushtet detare po vazhdojnë të përkeqësohen. Era e fortë me drejtim të papërcaktuar dhe reshjet lokale të shiut që pritet të nisin në orët e paradites do të pengojnë përpunimin normal të anijeve me mallra dhe kontejnerë. Kapiteneria dhe subjektet private po marrin masa për të siguruar anijet që ndodhen në radën e jashtme të portit më të madh te vendit, thanë burimet, sipas të cilave gjatë ditës priten edhe shtëngata shiu. Motopeshkatoret nuk këshillohen të dalin në gjueti, shtuan burimet e kapitenerisë, të cilat informuan se një pjesë e mjeteve lundruese të vogla po rikthehen në portin detar. Tre javë më parë, moti i keq me det të trazuar dhe erë të fortë ndikoi në shkëputjen nga spiranca të një anije 5000-tonëshe, e cila vazhdon të jetë e bllokuar në rërë në bregdetin e plazhin e Durrësit. /a.ke/
KOMENTE