Ekon-Shqipëria, E Angazhuar Për Të Stimuluar Veprimtarinë Në Fushën E Sme-Ve
përia i bashkohet për herë të parë Javës Europiane të SME-ve -
TIRANË, 28 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Shqipëria është e angazhuar për të stimuluar veprimtaritë në fushën e SME-ve në nivel kombëtar, apo rajonal, si dhe për të mundësuar sjelljen e eksperiencave dhe praktikave më të mira, me qëllim për të promovuar arritjet e tyre. Ndërkohë, Shqipëria i është bashkuar për herë të parë Javës Europiane të SME-ve 25 maj-1 qershor, një fushatë pan-europiane, e koordinuar nga Komisioni Europian, Drejtoria e Përgjithshme e Ndërmarrjeve dhe Industrisë, që udhëhiqet nga principet e Small Business Act.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bëri të ditur sot se zhvillimi i sektorit privat, në vecanti i SME-ve, është një ndër prioritetet e Qeverisë. Aktualisht në vendin tonë operojnë rreth 105 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, që kontribuojnë në mbi 80% te GDP. SME-të përfaqësojnë 99.9 % të numrit të përgjithshëm të ndermarrjeve dhe mbulojnë rreth 82 % të numrit të përgjithshëm të punonjësve.
Sipas raportit te Progresit të Politikave për SME-të 2009 të OECD, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në disa fusha si: në hapjen e një biznesi shpejt dhe me kosto të ulët, në reformën rregullatore në reduktimin e barrierave administrative për marrjen e licensave, në sistemin e taksave, duke ulur barren fiskale, nepermjet taksës se sheshtë prej 10 % dhe duke reduktuar tatimin për sigurimet shoqërore nga 20% në 15%.
Gjatë vitit 2010, po sipas METE-s, po zbatohen disa projekte të rëndësishme në mbështetje të zhvillimit të SME-ve sikurse programi italian për mbështetjen e SME-ve nëpërmjet një linje kredie të butë prej 25 milion Euro dhe fondi garantimi prej 2,5 milionë euro. Deri tani janë dhënë kredi për 19 kompani me një vlerë prej 5 milion euro. Per vitin 2010 po behet efektiv per disbursim transhi i dyte prej 10 mln.euro.
Po kështu, programi për përmirësimin e menaxhimit të kompanive TAM/BAS, IPA 2007, me një vlerë prej 1 milionë euro, me të cilën janë duke u asistuar 18 kompani, përmirësimi i konkurrueshmërisë dhe produktivitetit në SME-të shqiptare, në 10 qytete kryesore, projekt i mbështetur nga USAID, me një vlerë prej 10 milion USD (Competitiveness Enterprises Development, CED project), etj, janë projekte të tjera në mbështetje të SME-ve.
Ndërkohë, funksionimit të Qendrës Kombëtare të Licencave si një one stop shop, i është shtuar edhe aktiviteti i aplikimeve energjetike.
"Marrëveshjet e tregtisë së lirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor (CEFTA) dhe zbatimi i MSA-së me BE-në, ka nxjerrë në evidencë nevojën për t'u fokusuar edhe me shumë në ata faktorë që ndikojnë në përmirësimin e konkurrueshmërisë së vendit", thuhet në njoftimin për shtyp të METE. Sipas njoftimit, "duke u krahasuar me vendet e rajonit, në sektorin e SME-ve konsiderohen ende kritike niveli i zhvillimit të sipërmarrjes dhe inovacionit, që përbëjnë bazën e standardeve të BE-së dhe që janë tregues për matjen e performancës se tyre".
Për të adresuar këto mangësi, METE, referuar Strategjisë së Lisbonës e në veçanti kundrejt Small Business Act, po punon në kërkim të instrumentave më të mirë, të cilët do të mundësojnë që SME-të në Shqipëri të ecin dhe zhvillohen sipas ritmit të sipërmarrjes, inovacionit dhe zhvillimeve tekonologjike në BE.
"Shqipëria aktualisht ende ka mungesë të infrastrukturës që lejon zhvillimin dhe promovimin e inovacionit dhe teknologjive te avancuara me qellim për të arritur konkurrueshmërinë. Ndjehet mungesa e inkubatorëve te biznesit, parqeve tekonologjike etj, instrumenta që stimulojne zhvillimin e SME-ve inovative", shprehet METE, sipas të cilës, "ende mungon një bashkëpunim aktiv midis universiteteve dhe SME-ve në çështje të inovacionit dhe teknologjisë".
Projekti FP 7 i BE-së dhe inciativat e CIP, ku tashmë Shqipëria bën pjesë, shikojnë si mekanizma që duhet të inkurajojnë bashkëpunimin e universiteteve tona me SME-të, për një angazhim më të madh për të nxitur thithjen e trurit nga jashtë dhe për të ofruar kushte më të mira për biznese inovative.
"Këtyre shqetësimeve që sot hasin SME-të në Shqiperi, jemi te bindur se projekti IPA 2007 që ne kemi filluar të zbatojmë, do t'i japë zgjidhje konkrete shumë prej këtyre mangesive të konstatuara, siç janë strategjia e inovacionit, qendra e ndërmjetesimit per inovacionin, programi per konkurrueshmerine, etj. Njëkohësisht ky projekt është në koherencë me objektivin e projektit rajonal të OECD, 'Iniciativa e Konkurrueshmerise Rajonale' që pritet të fillojë së shpejti", nënvizohet në njoftimin për shtyp të METE.
Në të shprehet bindja se "Java Europiane e SME-ve do të shërbejë si një vlerë e shtuar si për Qeverinë dhe organizatat e biznesit, për ta kthyer atë në programe për veprim, në mbështetje të rritjes së konkurrueshmërisë së SME-ve". /s.s./