English

Fishë Teknike- Ecuria E Procesit Të Lehtësimit Të Vizave Mes Shqipërisë Dhe Be-Së

TIRANË, 28 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Shqipëria ka shënuar hapa para në procesin e liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian. Kolegji i Komisionerëve i rekomandoi Parlamentit Europian liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, një vendim i cili hyri në fuqi dje në mesditë (27 maj). Ndërkohë vendi ynë duhet të plotësojë tre kushte të reja të vendosura nga KE, që kanë të bëjnë me miratimin e Strategjisë për ri-integrimin e të riatdhesuarve, forcimin e kapaciteteve dhe zbatimin e ligjit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe zbatimin efikas të ligjit antimafia. Pasi Parlamenti Europian të marrë vendimin për liberalizimin e vizave, i takon Këshillit të Ministrave të Brendshëm të vendeve të BE-së që të marrin vendimin përfundimtar në këtë proces. - Më poshtë vijojnë disa data kryesore në ecurinë e procesit të lehtësimit të vizave mes Shqipërisë dhe BE-së: 13 Nëntor 2006- Këshilli i Bashkimit Evropian i jep mandatin Komisionit Evropian të fillojë negociatat me 9 vendet e Ballkanit Perëndimor (përfshi Shqipërinë), për marrëveshjen e lehtësimit të vizave dhe atë të ripranimit. 30 Nëntor 2006- Komisioni Evropian fillon negociatat për nëntë marrëveshjet e Komunitetit me këto vende. 10 Prill 2007- Mbyllen në Bruksel negociatat Shqipëri-BE për marrëveshjen e lehtësimit të vizave. Kjo marrëveshje sjell përparësi për të gjithë udhëtarët shqiptarë në formën e tarifave të ulta të vizave dhe procedurave më të shpejta të aplikimit për vizë. 18 Shtator 2007- Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Franco Frattini dhe Ministri i Brendshëm i Portugalisë, Ruiz Carlos Pereira, nënshkruajnë në Bruksel 9 marrëveshje për lehtësimin e vizave dhe për ripranimin mes Komunitetit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Marrëveshjet e ripranimit dhe të lehtësimit të vizave mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, u nënshkruan në prani të Ministrave të Brendshëm të Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë dhe ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë. 1 Janar 2008- Hyjnë në fuqi rregullat e reja mbi lehtësimin e lëshimit të vizave. Qëllimi i Marrëveshjes është të lehtësojë, mbi bazën e reciprocitetit, lëshimin e vizave për qytetarët e Republikës së Shqipërisë për një qëndrim të synuar për jo më shumë se 90 ditë brenda periudhës së 180 ditëve. Kjo marrëveshje nuk zbatohet për Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Irlandën, Mbretërinë e Danimarkës, Republikën e Islandës dhe Mbretërinë e Norvegjisë. 7 Mars 2008- Gjatë një vizite në Shqipëri, Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Franco Frattini, lançoi nisjen e dialogut politik Shqipëri-BE për regjimin e udhëtimit pa viza. 3 Qershor 2008- Komisioni Europian i dorëzon Shqipërisë Udhërrëfyesin (Roadmap) për liberalizimin e regjimit të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të BE-së. Ky dokument, në emër të Komisionit Europian, iu dorëzua ministrit Basha nga Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Europian për Zgjerimin, Michael Leigh. Udhëzuesi jep indikacione të qarta për autoritetet shqiptare për masat që duhen marrë në mënyrë që të mund t'u sigurohet lëvizje e lirë pa viza të gjithë qytetarëve shqiptarë. 1 shtator 2008- Shqipëria dorëzon dokumentin e parë, ku u përfshinë të gjitha përgjigjet për reformat e kryera dhe ato të parashikuara në katër blloqet e udhërrëfyesit dhe konkretisht në sigurinë e dokumentave, migrimin ilegal, rendin dhe sigurinë publike, si dhe çështjet e marrëdhënieve të jashtme dhe të drejtat themelore. 28 nëntor 2008- Komisioni dorëzoi raportin e parë të vlerësimit për këtë dokument. 14 janar 2009- Pala shqiptare paraqiti raportin për plotësimin e angazhimeve dhe të detyrimeve që rrjedhin nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Komunikimi midis palëve për heqjen e regjimit të vizave, vijon në mënyrë konstante. 15 Korrik 2009- Komisioni Europian i propozon Këshillit të BE heqjen e regjimit të vizave me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë dhe qëndrimin e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës në një regjim me viza. 1 Tetor 2009- Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë dorëzoi në Bruksel raportin e dytë për plotësimin e detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. 6 Tetor 2009- Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Europian miraton me shumicë votash propozimin e europarlamentares sllovene Tanja Fajon, për shqyrtimin e rastit të Shqipërisë dhe Bosnjes, bashkë me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. 20 Tetor 2009- Komisioni i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punë të Brendshme miraton raportin e prezantuar nga eurodeputetja sllovene Tanja Fajon. 12 Nëntor 2009 - Parlamenti Europian miraton raportin e eurodeputetes Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Raporti i eurodeputetes Tanja Fajon propozon përfshirjen e menjëhershme të Shqipërisë në aneksin e dytë të vendeve, të cilave nuk u nevojitet vizë për në BE, sapo vendi të përmbushë detyrimet e mbetura. 27 Maj 2010 - Hyn në fuqi vendimi i Kolegjit të Komisionerëve, që i rekomandoi Parlamentit Europian liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. /s.s./
KOMENTE