English

Fishë teknike - Gjashtë dekada e gjysmë, ja historiku i Teatrit Kombëtar

Tiranë, 28 Maj 2010 NOA/ Fishë teknike - Teatri Kombetar është përuruar si i pari teatër profesionist shqiptar në 17 Majin e vitit 1945 në godinën ku vazhdon aktivitetin edhe sot. Në regjinë e Sokrat Mios u shfaq komedia “Topazi” që u quajt si “shfaqja themeluese e TK”. Për herë të parë në Shqipëri për teatër është folur në periudhën e Rilindjes Kombëtare në fund të shekullit të XIX-të.

E para shfaqje e dokumentuar nga burimet arkivore është “Dasma e Lunxhërisë” e Koto Hoxhit vënë në skenë në vitin 1874 nga djemtë e shkollës normale të Lunxhërisë. Ndërsa dramë e parë e mirëfilltë është “Besa” e Sami Frashërit - 1875, e cila ndonëse u shkrua në turqisht, kishte tematikë shqiptare. Salla e parë teatrore është ndërtuar në Shkodër në vitin 1890 nga Urdhri jezuit. Deri në vitin 1908 në arkiva flitet për shfaqje të vëna në skenë kryesisht nga mësues e pedagogë të shkollave ndërsa pjesët kishin karakter të mirëfilltë teatror.

Për herë të parë për klube teatrore flitet në vitin 1908 ku spikasin klubi “Labëria” i Vlorës, “Vllaznia” i Shkodrës, “Drita” i Gjirokastrës, “Dituria” i Korçës, “Afërdita” Elbasan, si dhe një shoqëria e grave “Ylli I Mëngjesit”.

Në vitet 20-30 me themelimin e Tiranës si kryeqytet Teatri mori një status më institucional. Dramaturgjia e atëhershme krahas motivit patriotik vjen e bëhet me realiste dhe interesohet dhe për dukuritë sociale. Ndihmesë në zhvillim japin veprat e Foqion Postolit, Haki Sërmillit etj Fillimi i viteve 40-të është lidhur ngushtë me Teatrin e Luftës Nacional-Çlirimtare, grupet teatrore të të cilit u bënë bërthama e krijimit menjëherë pas luftës të Teatrit Profesionist i Shtetit dhe Shkollës së Dramaturgjisë. Aktorët e parë të Teatrit Profesionist ishin Mihal Popi, Gjon Karma, Mihal Stefa, Ndrekë Shkjezi, Liza Vorfi, Behije Çela, Liza Vorfi, Ndoc Meshkalla, Hasan Reçi. Shumë shpejt në teatrin profesionist erdhën nga lëvizja amatore emra shumë të njohur si Marie Logoreci, Prokop Mima, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Lora Kovaçi, Besa Imami, Violeta Manushi si dhe regjisori i porsadiplomuar Pandi Stillu. Në vitet 45-56 shteti shqiptar u përpoq ta orientonte TK, së paku në tri drejtime:-sigurimin e një repertori me drama të “realizmit socialist”me autorë të vendeve të Lindjes. Përpos repertorit me ndikim politik, spikasin premierat nga dramaturgjia botërore: Revizori – Gogol – regjia S. Mio 1947, Othello – Shekspir – regjia A. J. Ricko 1953, Toka Jonë – regjia P. Stillu 1954, Familja e Peshkatarit – S. Pitarka regjia P. Gjoka 1956, Halili dhe Hajria – K. Jakova regjia B. Levonja 1950, Shërbëtori i dy zotërinjve – K. Goldon regjia Z. Andri -1955.

Në vitet 1956-1965 flitet për një teatër vërtet profesionist ku radhët e të cilit u shtuan me skenografë, regjisorë dhe aktorë të kualifikuar. Por do veçojmë edhe se në repertorin e kësaj periudhe spikasin vepra madhore nga dramaturgjia botërore si: Intrigë dhe Dashuri – Shiler me regji të M. Luarasi 1957, Hamleti – Shekspir – 1960, Mbi Gërmadha – F. Pacrami – me regji te K Spahivogli - 1962, Borgjezi Fisnik Molier me regji të Pandi Stillu – 1963, Kranavalet e Korcës – S Çomora me regji të Pandi Stillu – 1964, Xhaxha Vanja – A. Çehov me regji A. Malo 1964, Mbreti Lir – Shekspir me regji P. Stillu – 1965 Vitet 65-72 dallohen nga trajtimi i dramaturgjisë kombëtare si element kryesor në repertori dhe kufizimi gradual i veprave të shquara nga dramaturgjia botërore. Në repertorin e kësaj periudhe veçojmë si premiera “Pas vdekjes” dhe “14 vjeç dhëndër” nga Çajupi, Prefekti nga B Levonja, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur – Kadare me regji të P. Manit si dhe Arturo Ui – Breht me regji të Pirro Manit vënë në vitin 1971.

Vitet 1972-1985 dallaohen përnga politizimi I tejskajshëm I repertorit të teatrit Kombëtar, ndëshkimin dhe l;largimin nga skena të disa prej regjisorëve, dramaturgëve dhe aktorëve si modernistë si dhe pakësimin e repertorit dhe të premierave. Premierat që mund të veçojmë si më suksesshmet janë: Njeriu që pa vdekjen me sy – V. Eftimiu me regji të Pirro Manit 1974, Lumi i Vdekur – J. Xoxe – me regji të D. Agolli – 1975, Zonja nga Qyteti – R. Pulaha – me regji të A. Qirjaqi 1975, Luiza Miller – Shiler me regji të D. Agolli – 1979, Nata e 12-të – Shekspir me regji të P. Manit 1982, Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo – D. Agolli me regji të F. Haxhiaj-1983, Prometeu -V. Eftemiu regjia P. Mani 1984, Gjenerali I ushtrisë së vdekur - P. Mani regjia P. Mani- 1985.

Vitet 1985-1992 janë vitet e fund-diktaturës, deri më 1990 kur përmbyset ajo dhe kemi fillimet e lirisë, nga ku vihen re:-një prani më e gjerë e repertorit të huaj, -guximi për të prekur tema tabu, eksperimentet e para dhe shija e paprovuar e autorëve të ndaluar. Mund të veçojmë disa premjera: Vdekja e një komisioneri – A. Miler me regji F. Haxhiraj -1986, Pallati 176-A. Balashi me regji A. Bualjoti, A. Qesari -1986, Romeo dhe Zhulieta – Shekspir me regji DH. Pecani-1987, Zbutja e kryeneçes-Shekspir me regji F. Haxhiraj- 1988, Kush e solli Doruntinën – P. Mani me regji F. Haxhiraj – 1989, Frikë dhe mjerim në rajhun e tretë –B. Breht me regji A. Kumbaro- 1990, Dhelpra dhe rrushtë – G. Figueredo me regji të DH. Pecani, Rikardi i tretë – Shekspir me regji të A. Qiriaqi – 1992.

Vitet 1992 – 2005 shënojnë vitet e ndryshimeve strukturore rrënjësore në TK, ku veçohen si dukuri: -aplikimi i metodologjive të fundit teatrore, - zotërimi thuajse absolut i repertorit nga pjesët e huaja, kryesisht komedi dhe tragjikomedi, pakësimi në mënyrë të ndjeshme i pjesëve dhe autorëve shqiptarë, - hapja e hapësirës për ngritjen e kompanive private. Disa nga premierat, - Dy zotërinjtë nga Verona – Shekspir me regji të DH. Pecani – 1993, “8 Persona +” F. Radi me regji të F. radi – 1994, Fernando Krafti më ka shkruar një letër T. Dorst me regji të G. Kame – 1994, Tiranozauri K. Trebeshina me regji të G. Kame – 1995, Don Zhuani Molier me regji të A. Imami – 1996, Apologjia e vërtetë e Sokratit – Kame & Kabashi – 1997, Quo Vadis – S. Fanku me regji të S. Fanku – 1997, Kopshti me dallëndyshe – B. Cikliropulos me regji të K. Londo – 1998, Ëndra e një nate dimri – I. Kadare me regji të A. Bora – 1999, Njeriu, virtyti, kafsha – L. Pirandelo me regji të D. Agolli – 2000, Armiku I Popullit – H. Ibsen me regji të A. Qiriaqi – 2000, Utopos – S. Çapaliku me regji të R. Ljarja – 2001, Mbreti po vdes – E. Jonesko me regji të A. Bora – 2001, Portreti i Dorian Greit – O. Uajlld me regji të K. Londo – 2002, Gomone – M. Luarasi me regji të G. Kame – 2003, Streha e të harruarve – R. Pulaha me regji të M. Luarasi – 2004, Kopraci – Molier me regji të H. Çuli – 2004, Pjata e drunjtë – Morison me regji të G. Kame – 2005, Si e mposhta Musolinin – drama dhe regjia H. Mulliqi – 2005, Xhaxha Vanja – A. P. Çehov me regji të H. Çuli – 2005.

Teatri Kombetar është inaguruar si i pari teatër profesionist shqiptar në 17 Majin e vitit 1945 në godinën ku vazhdon aktivitetin edhe sot. Në regjinë e Sokrat Mios u shfaq komedia “Topazi” që u quajt si “shfaqja themeluese e TK”. Për herë të parë në Shqipëri për teatër është folur në periudhën e Rilindjes Kombëtare në fund të shekullit të XIX-të. E para shfaqje e dokumentuar nga burimet arkivore është “Dasma e Lunxhërisë” e Koto Hoxhit vënë në skenë në vitin 1874.

KOMENTE