English

Gjendet një arsenal luftarak me automatikë, bomba, granata dhe tritol

Elbasan, 28 Maj, NOA – Një arsenal i vërtetë ushtarak është cilësuar nga forcat policore, ai i gjetur i fshehur në një banesë të qytetit të Elbasanit.

Bëhet fjalë për 2 automatikë, 1 pushkë, 1 krehër automatiku me 28 copë fishekë, 1 granatë dore, 5 kapsolla detonatore alumini, 1 fitil zjarrpërcjellës, 3 kallëpa tritoli 200 gramësh dhe 1 kallëp tritoli 400 gramësh; që të gjitha të gjetura së bashku.

Ngjarja konfirmohet nga burimet policore të Elbasanit për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, i gjithë ky material luftarak u gjend në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative.

Më tej, ato bëjnë me dijeni se është bërë i mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i 43-vjeçarit Besim Hysa, banues në fshatin Licaj të Elbasanit, ndërsa ndiqet në gjendje të lirë 55-vjeçarja Vezire Bega, banuese në qytetin e Elbasanit.

Ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, e cila parashikohet nga neni 278 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE