English

Kosova Dhe Sllovenia Nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi Në Fushën E Energjisë Dhe Minierave

PRISHTINË, 28 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Kosova dhe Sllovenia nënshkruan sot në Lubjanë një memorandum mirëkuptimi në fushën e energjisë dhe minierave. "Republika e Kosovës është e përkushtuar për reformat dhe ristrukturimin e plotë të sektorëve të energjisë dhe minierave në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe eksperiencat më të mira të Sllovenisë", tha ministrja kosovare e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, pas firmosjes së memorandumit në Ministrinë sllovene të Ekonomisë me Sekretaren e Shtetit, përgjegjëse për energjinë, Darja Radiq. Nga ana e saj, Sekretarja e Shtetit, përgjegjëse për energjinë, Darja Radiq, shprehu interesin për të thelluar bashkëpunimin me Kosovën, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe projektet që kanë të bëjnë me zhvillimin e kapaciteteve energjetike nga burimet e ripërtëritshme, siç janë projektet e hidrocentraleve, bëri të ditur zyra e shtypit e ministrisë kosovare të Energjisë dhe Minierave. Ministrja Pula u prit edhe nga ministri i Ekonomisë të Sllovenisë, Matej Lahovnik, i cili shprehu angazhimin për të çuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve. Gjithashtu ministrja Pula zhvilloi një takim edhe në Odën Ekonomike sllovene dhe vizitoi Qendrën komanduese të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë të Sllovenisë (ELES), ku u njoh me arritjet dhe përvojën e kësaj kompanie./s.s./
KOMENTE