Kosovë - Sejdiu: Koha Që Unmik-U Të Mbyllë Gradualisht Misionin
PRISHTINË, 28 Maj /ATSH-B.Jashari/.- "Është koha që UNMIK-u të përmbyllë gradualisht misionin në Kosovë", tha sot Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, në takim me përfaqësuesin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier.
"Presidenti Sejdiu falënderoi z. Zannier për rolin e UNMIK-ut nga vendosja e këtij misioni në Republikën e Kosovës, duke e cilësuar investimin ndërkombëtar në vendin tonë si histori të suksesshme. Ai gjithashtu përsëriti se është koha që UNMIK-u të përmbyllë gradualisht misionin e tij në vendin tonë", thuhet në komunikatën e zyrës së shtypit të Presidencës kosovare.
Bëhet e ditur se në takim, Presidenti Sejdiu foli për zhvillimet në vend, për procesin në rritje të njohjes së Republikës së Kosovës nga gjithnjë e më shumë vende, si dhe për përshpejtimin e hapave për anëtarësimin sa më të shpejtë të vendit në strukturat euro-atlantike./s.s./