English

Kosoves Po I Hapet Perspektiva E Sigurt Integruese Evropiane

PRISHTINË, 28 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Për Kosovën po hapet perspektiva e sigurt integruese, tha sot kryeministri Hashim Thaçi në konferencën "Kosova - progresi në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian", organizuar në Prishtinë nga Ministria e Integrimit, me pjesëmarrje edhe të përfaqësuesve të pranisë ndërkombëtare dhe shoqërisë civile e mediave. Kosova, shtoi ai, po hyn në axhendën integruese evropiane dhe bashkëpunimi i rregullt në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile e mediave në këtë proces me interes nacional, është i pazëvendësueshëm. "Shoqëria civile ka kontribuar jo vetëm përmes përvojës e ekspertizës në kuptimin e kapaciteteve, por edhe që me zërin e vet ka sjellë një freski dhe një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm për plotësimin e këtij procesi", vlerësoi Thaçi. Ai kujtoi se në prill të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim të themelojë Ministrinë e Integrimit Evropian, "me çka ka demonstruar përkushtimin e qartë politik për intensifikimin e procesit të integrimit evropian". "Ky avancim institucional përkon me avancimin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, i cili ka rezultuar nga Studimi i fizibilitetit për Kosovën", theksoi kryeministri Thaçi. Kjo, shtoi ai, ka iniciuar dy procese, të cilat do të sjellin dobi të drejtpërdrejta dhe të prekshme për të gjithë - Marrëveshjen Tregtare mes Kosovës dhe BE-së dhe procesin e Liberalizimit të Vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. "Procesi i integrimit do të shndërrohet në përfitime të drejtpërdrejta të shoqërisë tonë, në zhvillimin ekonomik, në përmirësimin e infrastrukturës dhe në reforma të shumta që përmirësojnë jetën e secilit qytetar të Republikës së Kosovës", tha kryeministri Thaçi. Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionuit Evropian, Renzo Daviddi, vlerësoi angazhimet e institucioneve të Kosovës për hartimin e politikave drejt integrimit, duke theksuar se sa më shumë progres që do të bëhet drejt BE-së, aq më pranë saj do të ndjehen kosovarët. Ministri i Integrimit, Besim Beqaj, tha se insitucionet po bëjnë çdo gjë që është e mundur për të dhënë impute pozitive për integrim drejt BE-së, duke u shprehur se tani Kosova e ka radhën të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave. /a.ke/
KOMENTE