English

Kukës: Shfrytëzimi I Bimëve Medicinale Duhet Të Bëhet I Kontrolluar

KUKËS, 28 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Shitja e bimëve medicinale është një punë me interes dhe që gjen gjithnjë e më shumë shtrirje në rrethin e Kukësit, por, siç thonë tregëtarët dhe specialistët, mbledhja e këtyre bimëve duhet bërë më e kontrolluar, për të shmangur dëmtimet e pariparueshme. "Nuk mjafton pasuria e madhe, por shfrytëzimi i saj me efektivitet e në shërbim të të gjithë komunitetit," shprehet një nga tregtarët e bimëve medicinale në rrethin e Kukësit, Dritan Zela. "Procesi i mbledhjes e tregtimit të bimëve medicinale tashmë ka nisur. Ka një interes të madh nga banorët, por është i pakontrolluar, gjë që është me pasoja për të ardhmen, pasi është një pasuri e madhe e kësaj zone dhe një biznes mjaft fitimprurës për banorët e zonave rurale", thotë Zela. Sipas tij, shfrytëzimi i këtyre bimëve medicinale që shtrihen thuajse gjatë gjithë vitit në të gjitha zonat duhet vënë nën kontrollin e specialistëve të pyjeve, pasi deri tani shfrytëzimi i tyre është kaotik e pa kontroll. "Duhet marrë fund fakti që ndaj kësaj pasurie nuk tregohet asnjë kujdes, apo kontroll të shfrytëzimit të saj", thotë specialisti, Besnik Hallaçi. Sipas tij, fakti që në masivet e mëdha pyjore të kësaj zone rriten shumë bimë medicinale nuk do të thotë se ato duhet të shfrytëzohen pa asnjë kriter. Vetëm në pyjet e qarkut të Kukësit rriten mbi 120 lloje të ndryshme bimësh mjekësore, ku nga më kryesoret janë sherbelja, boronica, shtogu, agulicja, lule manushaqja etj. Biznesmenët privatë po tregojnë interes për grumbullimin e tregtimin e bimëve. "Kemi lidhur me marrëveshje me biznesmenë nga Tirana", thotë Resmi Memishi, nga Cerneleva. Sipas tij, interesi më i madh tregohet për shërbelen, agulicen që në atë zonë janë me shumicë. Sipas specialistëve të zyrës rajonale të tatim-taksave, "nuk ka asnjë firmë të licensuar për grumbullimin e tregtimin e bimëve medicinale". Është edhe një fenomen tjetër. Disa prej këtyre bimëve, nga banorët vendas, shfrytëzohen në mënyrë artizanale për shërimin e sëmundjeve, veçanërisht në zonat e thella, ku edhe shërbimi mjekësor i specializuar mungon. Është kjo arsyeja që në kushtet e dëmtimit të këtyre bimëve disa fermerë kanë nisur t'i kultivojnë në tokën e tyre bujqësore me synim tregtimin e tyre./ch/
KOMENTE