Prishtinë, 28 Maj, NOA – Pas Somalisë dhe Xhibutit, të cilat ishin shtetet e fundit që kanë njohur shtetin e Kosovës, duket se në radhë do të jetë ai i Kuvajtit për ta ndërmarrë një hap të tillë.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije, kreu i delegacionit parlamentar i Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili kreu një vizitë zyrtare në Kuvajt, ku ka pasur takime me Princin e këtij vendi, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, si dhe drejtorin e përgjithshëm të Fondit të Kuvajtit për Zhvillim.
Kryeparlamentari kosovar e ka cilësuar këtë vizitë si mjaft të frytshme, duke theksuar se në takimet me zyrtarët me të lartë të këtij vendi tregohej një interesim i shtuar për zhvillimet në Kosovë.
Ndër të tjera, ai tha se nga kryetari i Kuvendit të Kuvajtit iu shpreh hapur pikëpamja për njohjen e Kosovës dhe prirja e qeverisë kuvajtiane për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
Edhe me Kuvajtin në listë, numri i vendeve që kanë njohur deri tani Kosovën e pavarur po i afrohet 70-shes.
n.e/NOA