English

Lëvizja E Lirë-Daviet: Media, Rol Parësor Në Informimin Profesional Të Qytetarëve

- Ambasadorja Daviet merr pjesë në Forumin "Shqipëria drejt BE, hapja e kufijve për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave" - TIRANE, 28 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Ambasadorja e Francës në Tiranë, Maryse Daviet theksoi të premten, rolin parësor të medias për informimin e qytetarëve në procesin e integrimit europian dhe levizjen e lirë. "Pa gazetari, nuk ka demokraci", tha ambasadorja Daviet në Forumin "Shqipëria drejt BE, hapja e kufijve për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave". Sipas saj "në Shqipëri ka një numër të madh mediash dhe gazetarësh, por ka shumë pak gazetarë që kuptojnë procesin e integrimit dhe që janë të aftë të informojnë drejt qytetarët". Formimi i gazetarëve në rrugën e demokracisë, sipas ambasadores Daviet "është thelbësore". Për këtë arsye, Ambasadorja Daviet vlerësoi forumin e organizuar sot, i cili përmbyll një seri veprimtarish të zhvilluara në kuadrin e një programi mbështetës për mediat shqiptare, financuar nga BE dhe të drejtuar nga "France Coorporation Internationale" dhe "AFP Foundation". Ambasadorja Daviet theksoi rëndësinë e informimit të qytetarëve në lidhje me procesin e lëvizjes së lirë dhe integrimit europian. "Qytetarët duhet të informohen se çfarë do të thotë liria e lëvizjes pa viza, cilët janë kufijtë dhe liritë lidhur me këtë proces. Kjo është një punë e madhe që ju duhet t'ua shpjegoni qytetarëve tuaj dhe ta përhapni atë", tha Ambasadorja Daviet, duke vlerësuar rolin e medias në këtë drejtim. Shqipëria, tha Ambasadorja Daviet, "ka shumë media në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe Europës, por kjo nuk do të thotë se meqënëse ka shumë gazetarë në Shqipëri, edhe qytetarët janë të informuar mirë". Sipas saj "ka ndryshime mes medias, gazetarisë dhe informacionit". "Unë i njoh vështirësitë me të cilat përballen gazetarët shqiptarë. Ata duhet të bëjnë rezistencë, të durojnë në këto vështirësi dhe të prezantojnë edhe ato ngjarje, që i pengojnë në kryerjen e punës së tyre dhe dhënien e informacionit", tha Ambasadorja franceze në Tiranë. Ajo konstatoi se "ka shumë pak gazetarë shqiptarë që e kuptojnë me të vërtetë procesin e integrimit europian dhe liberalizimit të regjimit të vizave dhe për rrjedhojë që informojnë qytetarët në mënyrë korrekte lidhur me këto procese". Ambasadorja Daviet nënvizoi rëndësinë e madhe që kanë agjencitë e lajmeve në Shqipëri. Forumi i organizuar sot në ambientet e Hotel "Tirana International" ku referuan për çështjet e lëvizjes së lirë edhe Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe Drejtori i ATSH-së, Artur Zheji, zhvillohet pas një serie aktivitetesh që synojnë inkurajimin e gazetarëve shqiptarë në procesin e raportimit për zgjerimin e BE-së, si dhe për sfidat që paraqet procesi i integrimit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në këtë forum u shpallën emrat e 6 kandidatëve, që me reportazhet e tyre në këtë fushë, fituan vizita studimore në Bruksel dhe Paris. Projekti zbatohet në një konsorcium që bashkon FCI, Fondacionin e Agjencisë Franceze të Lajmeve, Shkollën e Lartë të Gazetarisë në Lille dhe Shoqatën Lindje-Perëndim për Francën. Në Shqipëri ky projekt është mbështetur nga departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës dhe Qendra e Informacionit për BE-në./n.m/
KOMENTE