English

Luan Rama: Lsi, Kontribut Për Liberalizimin E Vizave

TIRANE, 28 Maj/ ATSH, A.Gegvataj/ - Lëvizja Socialiste për Integrim e cilësoi sot "hap historik për shqiptarët" vendimin e Këshillit të Komisionerëve të Bashkimit Europan për liberalizmin e vizave. Në një konferencë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama i bëri apel të gjithë aktorëve politikë që të kontribuojnë në procesin e pakthyeshëm të evropianizimit të Shqipërisë. Luan Rama deklaroi se," Qeveria e Integrimit Europian, ku LSI është kontributor serioz dhe i rëndësishëm, gjithë angazhimi politik në të mirë të realizimit të këtij procesi, dëshmuan dhe një herë se angazhimi në përmbushjen e kritereve u shpërblyen me këtë vendim historik". Sipas tij, ky hap cilësisht i veçantë për Shqipërinë europiane, e bën të domosdoshme ecurinë e mëtejshme në këtë rrugë dhe realizimin me seriozitet të detyrave të përcaktuara, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë në vendet e zonës Shengen. Luan Rama shtoi dhe se "angazhimi politik i LSI-së ne qeverisje dhe përmbushja me seriozitet e standardeve për procesin e liberalizmit të vizave, kanë qenë zgjedhja e duhur dhe investimi më i rëndësishëm, gjë që përbën edhe përmbushjen e njërit prej premtimeve elektorale të LSI-së"./n.m/
KOMENTE