Bruksel, 28 Maj, NOA - Serbia nuk mund të integrohet në Bashkimin Evropian nëse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk realizon një bashkëpunim të mirë me autoritetet e Prishtinës.
Një fakt të tillë e ka theksuar raportuesja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, sipas të cilës, synimi kryesor është integrimi në BE i të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, qoftë nëse ata janë serbë, shqiptarë apo të kombësisë tjetër.
“Për t’u arritur ky qëllim, nuk duhet shikuar nga e kaluara për drejt së ardhmes. Kontestimi i pafund i pavarësisë së Kosovës, kurrsesi nuk ndihmon. Nuk po e shoh se dëshira e qeverisë serbe për ta integruar Kosovën është reale, prandaj mendoj se përgjegjësi e saj është që në mënyrë të drejtë të informojë qytetarët e Serbisë që gradualisht t'u bëhet e qartë se ardhmja e përbashkët dhe bashkëpunimi në kuadër të BE-së do të jetë zgjidhja më e mirë”, ka deklaruar Lunacek në një intervistë për gazetën "Danas" të Beogradit.
n.e/NOA