English

Mbytja E Anijes Koreanojugore - Fillojnë Bisedimet Rusi-Kore E Veriut

MOSKË, 28 maj /ATSH-AFP/ - Rusia dhe Koreja e Veriut filluan sot bisedime për një situatë "të rrezikshme" në gadishullin korean pas mbytjes së anijes luftarake koreanojugore Cheonan, njoftoi Ministria e Jashtme ruse. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandër Borodavkin dhe ambasadori koreanoverior në Moskë, Kim Yong Jae, "shkëmbyen pikëpamje për një zhvillim të rrezikshëm të situatës në gadishullin korean pas mbytjes së anijes luftarake koreano-jugore Cheonan", njoftoi ministria përmes një komunikate. "Dy palët theksuan nevojën e shmangies së përshkallëzimit në rajon dhe u shprehën të gatshëm të vazhdojnë bisedimet për gjetjen e zgjidhjeve të krizës koreanoveriore", vazhdoi i njëjti burim. Një hetim ndërkombëtar arriti në përfundimin se mbytja e anijes 1 200 tonëshe, që ndodhi më 26 mars pranë kufirit detar me Korenë e Veriut dhe që shkaktoi vdekjen e 46 personave, erdhi si pasojë e një goditjeje me silurë nga një nëndetëse koreanoveriore. Pheniani përgënjeshtron çdo përfshirje. Këto konkluzione shkaktuan tensione në gadishullin korean, pasi Koreja e Veriut i ndërpreu të gjitha marrëdhëniet dhe komunikimet me Jugun dhe shfuqizoi një marrëveshje për të mos e sulmuar Jugun. Pheniani shprehet se vënia e saj në dyshim është e barabartë me një deklaratë lufte. Presidenti Dmitri Medvedev vendosi të mërkurën të dërgojë në Korenë e Jugut një ekip ekspertësh rusë për të shqyrtuar rezultatet e hetimit ndërkombëtar për mbytjen e anijes. Rusia merr pjesë në bisedimet gjashtëpalëshe për çështjen bërthamore të Koresë së Veriut të filluara në gusht të vitit 2003 me Korenë e Veriut, Korenë e Jugut, Kinën, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara. Në prill të vitit 2009, Pheniani largohet nga bisedimet për çmilitarizimin e tij bërthamor pas një goditjeje me raketë që u ndëshkua nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. /I.Pu.
KOMENTE