Bruksel, 28 Maj, NOA – Qytetarët e Shqipërisë do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian nga vjeshta e këtij viti. Lidhur me këtë vendim, për “Deutsche Vellen” flet Michele Cercone, shef i kabinetit të Komisioneres së BE-së, Sesilia Malstrom.
“Plotësimi i këtyre tre kërkesave shtesë është shumë i rëndësishëm për një vendim pozitiv. Komisioni Evropian do të monitorojë përmbushjen e tyre gjatë kësaj vere, që të sigurohet për këtë. Misioni monitorues do ti japë Këshillit të Ministrave të BE dhe Parlamentit Europian një vlerësim të qartë dhe në detaje për përparimin e arritur në këto tre drejtime”, pohon ai.
Zoti Cercone, propozimi i Komisionit Europian drejtuar Këshillit të Ministrave të BE-së dhe Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, u kushtëzua dje me përmbushjen e disa kërkesave shtesë. Pse ndodhi kështu, ku u mbështetet ky kushtëzim shtesë?
Propozimi është i kushtëzuar për të dyja vendet, por sidomos për Shqipërinë e cila duhet të përmbushë disa kërkesa ende të paplotësuara. Gjithsesi, Komisioni Europian vlerëson përparimin që ka bërë Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina në arritjen e standardeve të kërkuara për procesin e liberalizimit të vizave. Fjala është lidhur me përmirësimin e masave të sigurisë së pasaportave, kontrollit kufitar dhe kuadrit institucional për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Megjithatë, Shqipërisë i duhet të shënojë përparime edhe në tre drejtime: së pari, në zbatimin e një strategjie dhe politike që mbështet ri-integrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer nga vendet e BE në atdheun e tyre: së dyti në zbatimin në mënyrë aktive dhe efikase të kuadrit ligjor për të konfiskuar asetet e vëna nga krimi i organizuar. Drejtimi i tretë ka të bëjë me forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe financiare për të zbatuar me efikasitet kuadrin ligjor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është shumë e rëndësishme pasi heqja e vizave nuk duhet të krijojë probleme për vendet e BE-së, që janë destinacioni i fundit i një qytetari, në rastin konkret nga Shqipëria dhe në përgjithësi nga vendet që përfitojnë nga ky proces. Plotësimi i këtyre tre kërkesave shtesë është shumë i rëndësishëm për një vendim pozitiv. Komisioni Evropian do të monitorojë përmbushjen e tyre gjatë kësaj vere, që të sigurohet për këtë. Misioni monitorues do ti japë Këshillit të Ministrave të BE dhe Parlamentit Europian një vlerësim të qartë dhe në detaje për përparimin e arritur në këto tre drejtime. Nëse kjo do të ndodhë ka shumë të ngjarë që Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Europian ti japin këtij propozimi, në vjeshtën e këtij viti, dritën e gjelbër.
Liberalizimi vizave e sjell më pranë realizimin e aspiratës për integrim në BE, të Shqipërisë dhe të B-H, në rastin e propozimit të fundit, të 27 majit, të KE. Por nuk mungon perceptimi i qytetarit të thjeshtë në Shqipëri, për tu punësuar apo tentuar të vendoset në vendet e BE. Dhe kjo ka ndodhur edhe më parë me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Cili është mendimi juaj?
Ideja e procesit të liberalizimit të vizave lidhet me mundësinë e udhëtimit pa viza në vendet anëtare të BE-së dhe në ato të hapësirës Shengen edhe të qytetarëve shqiptarë që posedojnë një pasaportë biometrike. Pra, liberalizimi i vizave heq ose zhduk detyrimin për të aplikuar për një vizë afatshkurtër të personave që kanë të tillë pasaportë dhe u jep atyre të drejtën për të udhëtuar dhe hyrë në vendet e BE-së dhe të hapësirës Shengen, kryesisht për qëllime turistike, për një periudhë tremujore pa patur nevojë për vizë.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në BE, por liberalizimi i vizave nuk krijon mundësinë për të qëndruar më shumë se tre muaj, për tu vendosur apo për të shkuar për të punuar në vendet e BE dhe në ato të hapësirës Shengen.
DVelle