English

Moisiu: Me rrëzimet e kandidatëve për gjykatat, parlamenti po rëndon situatën

Tiranë, 28 Maj, NOA – “Parlamenti në lidhje me gjykatat, duhet të merret analizimin e kritereve të kandidatëve të tyre dhe jo siç po ndodh aktualisht, që ky institucion po gjykon mbi kriteret politike të tyre”.

Kështu ka pohuar ish-presidenti Alfred Moisiu gjatë një konference mbi “Gjykatat në demokraci”, duke pohuar se parlamentit i takon që të merret me cilësinë që ofrojnë gjykatësit dhe jo me bindjet e tyre politike, çka e pengon kështu, të bëjnë një përzgjedhje të drejtë të anëtarëve të gjykatave kryesore në vend.

“Parlamenti në fakt po merret me bindjet e hershme apo përkatësinë aktuale politike të kandidatit për në gjykatat kryesore në vend dhe kjo ka bërë që të ndodhë fenomeni i korruptimit politik”, tha pa përdorur fare dorezat, ish-kreu i shtetit Alfred Moisiu.

Sipas tij, mesazhi që jepet në këtë rast është mëse i qartë se “ai që kërkon karrierë duhet të ketë mbështetjen e mazhorancës së radhës”.

“Kandidatët rrëzohen gjoja nën ligjin e Lustracionit, në një kohë kur dihet se ky ligj u rrëzua nga komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Moisiu.

Sipas tij, një fakt i tillë “e ka rënduar situatën politike dhe institucionale të vendit tonë, kur ne tani jemi tashmë një vend anëtar i NATO-s dhe synojnë të jemi anëtarë me të drejta të plota të Bashkimit Evropian”.

n.e/NOA

KOMENTE