Tiranë, 28 Maj, NOA /Milena Selimi - Ndahen çmimet "Kult 2010" të organizuar mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB) nga Akademia "Kult".
U shpallën për të gjashtin vit radhazi arritjet më të mira të vitit 2009, në letërsi, përkthim, art pamor, aktrim, arte pamore dhe u ndanë dhe 2 çmime speciale për aktoren e skenës, Drita Pelinku dhe për këngëtaren Vaçe Zela.
Si "Aktori më i mirë" u nderua Vasjan Lami me rolin Garibaldit te shfaqja "Forca e zakonit" dhe Yllka Mujo si “Aktorja më e mirë e vitit”, me rolin e Filumenës tek "Filumena Marturano".
Trofeun "Regjisori më i mirë" e mori Kushtrim Bekteshi me dramën "Kush ka frikë nga Virxhinia Voolf".
Shpresa Beka u shpall "Interpretuesja lirike më e mirë" në rolin e Adalgizës te opera "Norma".
Genc Shkodrani rrëmbeu trofeun si "Skenografi më i mirë për operën "Norma". "Artiste më e mirë e artit pamor" u shpall Najada Hamza për ekspozitën personale "28 maj".
Kujtim Prodani mori trofeun "Albumi më i mirë muzikor" titulluar "Me sytë nga Dera". Çmimin si "Instrumentistja më e mirë" e mori pianistja Merita Rexha për koncertin recital me pjesë nga Robert Schumann.
Çmime u ndanë për botimet artistike, përkthimet dhe botimet studimore. Çmimi për "Libri më i mirë artistik" iu dha autorit Bashkim Shehu për romanin "Mozart me vonesë". Aurel Plasari mori çmimin si "Përkthyesi më i mirë" për librin "Poezi' të Anna. A. Ahmatova, ndërsa "Botimi studimor më i mirë ", u vlerësua "Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare" i Ferid Dukës.
m.s/n.e/NOA