Tiranë, 28 maj, NOA - “Një me Natyrën”, kështu e kanë quajtur fushatën e tyre për pastrimin e ambientit 200 nxënës të shkollës “Sami Frashëri” në kryeqytet. Së bashku me kompaninë e telefonisë “Eagle Mobile”, nxënësit kanë ndërmarrë një aksion pastrimi në rrugën e ”Barrikadave”, më pas në rrugën e “Dibrës”, në sheshin ”Skënderbej” dhe në bulevardin ”Zogu i I”.
Të pranishëm në këtë aksion kanë qenë drejtues të Eagle Mobile, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe stafi akademik i gjimnazit.
Drejtoresha e shkollës së mesme “Sami Frashëri”, Julinda Bllaca, falënderoi kompaninë "Eagle Mobile" për marrjen e kësaj nisme në kujdes të ambientit.
“Eagle Mobile' mbështeti shkollën për të vënë në jetë projekte të komunitetit, të cilat përputhen me programin arsimor të klasave të X-ta. Të tilla nisma do të jenë gjithnjë të mirëpritura nga ana jonë”, u shpreh Bllaca.
Nxënësit që morën pjesë në aksionin ambientalist janë takuar dhe me Drejtorin e Divizionit të Sistemit të Biznesit dhe Sigurimit të të Ardhurave në "Eagle Mobile", Nursal Haney.
Përfaqësuesi i "Eagle Mobile "theksoi se kjo kompani gjatë këtij viti, të cilin e ka shpallur “Vitin e Mjedisit”, ka planifikuar edhe shumë projekte të tjera në lidhje me mjedisin. Duke vënë në dukje se ndërgjegjësimi i qytetarëve ndaj ambientit është në rritje, ai shtoi se ky ndërgjegjësim do të jetë gjithnjë e në rritje në sajë të aktiviteteve të tilla.
"Eagle Mobile" ka shpallur vitin 2010 “Viti i Mjedisit” dhe krahas kësaj, projekte të ndryshme si mbjellje pemësh, restaurim parqesh, krijimi i parqe të lojërave për fëmijë dhe fushata sensibilizimi janë ndërmarrë nga kjo kompani.
m.xh/NOA